Zjarri në fshatin Drenovë të Mallakastrës, i cili ishte aktivizuar mbrëmjen e së dielës, është riaktivizuar sërish këtë të hënë. Deri më tani, janë djegur rreth 2.5 hektarë me shkurre dhe 250 rrënjë ullinj.
Për shkak të terrienit të thyer dhe të vështirë kodrinor, mjetet zjarrfikëse nuk kanë mundur të operojnë në vijën e zjarrit, ndaj ndërhyrja është bërë me pompa shpine dhe mjete rrethanore nga 25 forca zjarrfikëse dhe 20 punonjës të strukturave bashkiake.
Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar pyllin me pisha, çka ka detyruar edhe ndërhyrjen nga ajri me helikopter.
Megjithëse situata mbetet shqetësuese, burime nga vendngjarja raportojnë se intensiteti i zjarrit ka rënë, dhe përpjekjet për shuarjen e plotë po vijojnë.