“Veprën nuk e bëj as për vete, as për fëmijët e mi, por pikërisht për njerëzit” – me këtë deklaratë patetike, Vasil Llajo, themelues i rrjetit laboratorik “Intermedica”, u shfaq për herë të parë në fushatën zgjedhore si kandidat i Partisë Socialiste në Sarandë. I prezantuar nga Grida Duma në “Top Story” si një “politikan i ri”, pavarësisht moshës së avancuar, Llajo përpiqet ta paraqesë futjen në politikë si një akt ndërgjegjeje.
Por rruga që e ka çuar Vasil Llajon në politikë nuk është një histori e zakonshme. Në të vërtetë, ai është një nga emrat më të përfolur për përfitime marramendëse nga fatkeqësia e pandemisë Covid-19, përmes një monopoli të garantuar nga qeveria në tregun e testimeve.
Tamponë 95 eurosh dhe “monopol i liberalizuar”
Në kulmin e krizës së shëndetit publik në verën e vitit 2020, qeveria shqiptare “liberalizoi” testet e Covid, duke i dhënë licencën për kryerjen e tyre vetëm dy subjekteve private: laboratorit “Intermedica” në pronësi të Llajos dhe “Alnet” të Klodian Allajbeut. Në mungesë totale konkurrence, këto laboratorë aplikuan një çmim prej 12 mijë lekësh të reja për tampon, rreth 95 euro – një tarifë disa herë më e lartë se vendet e rajonit apo BE-së.
Vetëm pas presionit publik, çmimi u ul në 65 euro, por edhe ky mbeti i lartë për një vend me të ardhura modeste. Qytetarët paguan nga xhepi për një test që shpesh ishte i nevojshëm për të udhëtuar apo për arsye shëndetësore, ndërsa Llajo dhe partnerët e tij u kthyen në përfituesit kryesorë të kësaj situate.
Nga “bamirës” në monopolist tenderash publikë
Në fillim të pandemisë, Llajo u paraqit si “bamirës”, duke premtuar pajisje falas për ISHP-në dhe diagnostikime për popullatën. Por këto premtime nuk u mbajtën. Sot, ai rezulton të ketë ndërtuar një rrjet prej 11 kompanish në fushën e laboratorëve, farmacive dhe klinikave. Vetëm përmes “Intermedica Center”, ka përthithur 11 milionë euro tendera publikë, me miliona të tjera përmes “SWISSMED”, “LAYO”, “Aeskulap”, “Klinika Akili”, “EcoMed”, “Terra-Nova” e të tjera.
Llajo akuzohet për përdorim të fondeve publike për qëllime fitimprurëse nëpërmjet lidhjeve politike dhe monopolizimit të tregut.
Kontrata koncesionare dhe lidhjet me qeverinë
Llajo është përmendur gjithashtu si ortak informal në PPP-në e laboratorëve, përmes një marrëveshjeje që përfshinte grekun Janis Karathanos dhe kompaninë franceze “Exalab”. Në këtë skemë, e mbështetur nga ministrja Ogerta Manastirliu, laboratorët publikë u mbyllën për t’i lënë rrugë privatit. Kontrata me vlerë 104 milionë euro u bazua në kushte që e dëmtonin sistemin publik: QSUT detyrohej të siguronte pajisjet dhe stafin, ndërsa koncesionari përdorte ambientet.
Në dhjetor të 2020-s, vetëm 4 mijë nga 12 mijë testet e planifikuara PCR u realizuan, për shkak të mungesës së logjistikës dhe stafit – pasojë direkte e kësaj marrëveshjeje.
Kandidim në kundërshtim me ligjin?
Kushtetuta shqiptare, ligji për nëpunësin civil dhe ai për deklarimin e pasurisë ndalojnë ushtrimin e funksioneve publike nga individë që kanë interesa të drejtpërdrejta në biznese private, veçanërisht nëse këto përfitojnë nga fondet publike. Deputetët nuk mund të kenë funksione fitimprurëse dhe duhet të deklarojnë çdo interes ekonomik. Mosdeklarimi përbën shkelje të rëndë me pasoja ligjore që përfshijnë humbje mandati apo ndjekje penale.
- Sipas nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore ose funksion fitimprurës që bie ndesh me detyrën e përfaqësuesit të popullit.
- Ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” ndalon funksionarët publikë të kenë rol drejtues ose përfitues në biznese private gjatë detyrës.
- Ligji nr. 9049/2003 për deklarimin e pasurisë kërkon transparencë të plotë për çdo interes ekonomik dhe ndalon çdo konflikt interesi. Në rast se një deputet nuk e deklaron pronësinë apo përfitimet nga bizneset që mund të ndikojnë nga vendimmarrja publike, përbën shkelje të rëndë që ndëshkohet me humbje mandati, ndjekje penale, gjobë apo burgim.
Në këtë kontekst, kandidimi i Vasil Llajos ngre pyetje serioze për ligjshmërinë dhe moralin e përfshirjes së tij në politikë.
Nga “fytyra të reja” te rotacioni i oligarkëve
Përfshirja e Vasil Llajos në listat e PS shihet si përpjekje për të zëvendësuar figurat e konsumuara nga hetimet dhe skandalet, si Ilir Beqja, me individë të rinj vetëm në emër, por me të njëjtin model përfitimi nga fondet publike. Llajo nuk përfaqëson “forcë të re” por përvojë të thellë në evazion fiskal dhe manipulim tenderash.
Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të paguajnë nga xhepi për shërbime shëndetësore që duhej të ishin falas, laboratorët publikë zhduken nga skema e kujdesit. Politika hap dyert për ata që ndërtuan pasuri mbi krizën tonë shëndetësore.
A është ky modeli i rilindjes që na premtoi Edi Rama?