Zgjedhjet në Malin e Zi, u mbajtën ditën e djeshme. Partia e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, fitoi për herë të 11-të, zgjedhjet, por kësaj radhe me vështirësi, ku edhe pse doli si parti e parë, opozita ka fituar më shumë deputetë.
Nga ana tjetër shqiptarët arritën që të merrnin dy mandate në parlamentin malazez, duke u faktorizuar dhe duke qenë kështu edhe çelësi i qeverisë së ardhshme.
Partia e Presidentit Milo Gjukanoviç, me 34.8% të votave, ka fituar 29 deputetë. Por, pavarësisht se kryeson, partia e Gjukanoviç i ka humbur zgjedhjet, pasi dy partitë opozitare kanë siguruar më shumë deputetë.
Vetëm opozita deri tani ka një rezultat gati të njëjtë me Gjukanoviç, me po 29 mandate deputetësh, pra mbi 33% të votave, ndërsa partia opozitare “Paqja është Kombi ynë” ka marrë 12.5% të votave, pra 10 deputetë.
Ndërkohë, dy koalicionet shqiptare kanë arritur të sigurojnë dy deputetë në Kuvendin e Malit të Zi. Lista Shqiptare deri më tani ka marrë 1.4% të votave, duke siguruar kështu një mandat, si dhe Koalicioni Shqiptar ka siguruar 1.1% të votave, duke siguruar edhe ky një mandat deputeti.
Një rritje të konsiderueshme të votuesve shqiptarë ka pasur në orët e fundit. Surprizuese ishte pjesëmarrja në votime në të gjithë territorin e Malit të Zi, me afërsisht 80%.
Kjo ishte një rritje me rreth 14% nga zgjedhjet e fundit të 2016, e cila shpjegohet me nxitjen e elektoratit gri për të marrë pjesë në votime.