ALARMANTE! Zbulohet një tjetër vatër e gripit të shpendëve në Durrës, mbi 1800 pula të ngordhura/ AKU duarkryq përpara rasteve
Ministria e Bujqësisë ka raportuar një vatër të re të gripit të shpendëve (H5N1) përsëri në fshatin Maliq Muço, Durrës, ku ndodhej edhe ferma e kompanisë Rea’s. Sipas njoftimit zyrtar, në një tjetër fermë të zonës janë regjistruar 1,848 raste të ngordhjes së shpendëve, të konfirmuara si të prekura nga virusi.
Si masë parandaluese, Ministria ka ndaluar tregtimin e shpendëve të gjallë në disa zona përreth, përfshirë Sukthin, Manzën, Katundin e Ri, Maminasin, Gjepalajn, Rashbullin, Thumanën, Bubqin, Prezën dhe Vorën. Paralelisht, janë intensifikuar kontrollet edhe në ferma të tjera të vogla familjare, të cilat po monitorohen për ndonjë përhapje të mëtejshme të virusit.
Pavarësisht se Ministria ka shpallur tashmë disa vatra infektimi, AKU me në krye Olsi Komicin, ende nuk ka ndërmarrë asnjë prej masave konkrete dhe të detyrueshme, të cilat do t’i listojmë më poshtë. Madje, në Ditën Botërore të Konsumatorit, promovoi në Facebook të drejtat e konsumatorëve, të cilat ky institucion nuk i zbaton as vetë!
Monitorimi dhe inspektimi i produkteve ushqimore:
AKU duhet të kryejë kontrolle rigoroze në tregjet dhe dyqane për të siguruar që produktet dhe nënproduktet e mishit të shpendëve janë të sigurta për konsum. Këto kontrolle përfshijnë verifikimin e gjurmueshmërisë, dokumentacionit të rregullt dhe certifikata veterinare.
Ndërgjegjësimi i konsumatorëve:
AKU ka detyrimin të informojë publikun për rreziqet e mundshme dhe t’u rekomandojë konsumatorëve që të blejnë produkte vetëm në pikat e certifikuara të shitjes, duke shmangur tregjet e pacertifikuara që mund të paraqesin rrezik për shëndetin.
Bashkëpunim me institucione të tjera:
AKU duhet të bashkëpunojë ngushtë me institucione si Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) për të siguruar zbatimin e masave të biosigurisë në fermat e shpendëve dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Kontrolli i kufijve dhe importit:
Në bashkëpunim me autoritetet doganore, AKU duhet të forcojë kontrollet në pikat kufitare për të parandaluar importin e shpendëve të infektuar ose produkteve të tyre, duke siguruar që çdo ngarkesë të jetë e shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm dhe të jetë e kontrolluar për sigurinë e saj.
Asgjësimi i produkteve të infektuara:
Në rastet kur identifikohen produkte të infektuara në treg, AKU duhet të marrë masa të menjëhershme për asgjësimin e tyre, duke ndjekur protokollet e sigurisë për të shmangur rrezikun e infektimit të konsumatorëve.
Edukimi i fermerëve dhe operatorëve ekonomikë:
AKU duhet të organizojë fushata informuese për fermerët dhe operatorët ekonomikë mbi rëndësinë e zbatimit të masave të biosigurisë në fermat e tyre, duke ofruar udhëzime dhe trajnime për praktikat më të mira në menaxhimin e shpendëve.
Kujtojmë se disa ditë më parë, ferma e kompanisë Rea’s po në fshatin Maliq Muço u vendos në karantinë, pas ngordhjes së rreth 70,000 pulave, duke bllokuar për asgjësim edhe 250,000 vezë. Megjithatë, duket se duhet të presim edhe shumë raste të tjera të përhapjes së gripit të shpendëve, që mbase të shohim një përmendje nga AKU.
Historia e helmimit të qytetarëve shqiptarë nga neglizhenca institucionale nuk është e re!
Një sasi e konsiderueshme e produkteve ushqimore të rrezikshme për shëndetin u fut sërish këto ditë në Shqipëri, duke ngritur edhe njëherë shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore. Konkretisht, janë sekuestruar 985 kg acuge e kriposur, e ndotur me parazitin e rrezikshëm L3 Anisakis, si dhe 4,516.75 kg fileto derri të kontaminuar me bakterin Salmonella spp.
Rreziku nga peshku me parazit
Ekspertët paralajmërojnë se paraziti L3 Anisakis mund të infektojë njerëzit nëse konsumojnë peshk të pa gatuar ose të përpunuar në mënyrë të papërshtatshme. Infeksioni mund të shkaktojë inflamacion të traktit gastrointestinal dhe, në raste të rënda, larvat mund të depërtojnë në mukozën e stomakut ose zorrëve, duke sjellë komplikime serioze.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar se acuga e kriposur është importuar nga Kroacia dhe Italia. Megjithatë, nuk është bërë ende e qartë nëse autoritetet do të veprojnë me masa të ashpra për asgjësimin e saj apo do të ketë neglizhencë në trajtimin e çështjes.
Mishi i kontaminuar me salmonelë
Një tjetër shqetësim i madh është prania e Salmonella spp. në fileton e derrit, e cila është importuar nga Brazili. Ky bakter mund të shkaktojë simptoma të rënda, si diarre, ethe dhe dhimbje të forta stomaku. Sipas AKU, ky produkt ose do të asgjësohet ose do t’u kalohet subjekteve që plotësojnë kriteret për trajtimin dhe rihedhjen e tij në treg.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse mishi do të përpunohet në kushte të sigurta apo do të rishitet në fabrikat e sallamit dhe madje në institucione publike, siç sugjerojnë burime të pavarura. AKU, nën drejtimin e Olsi Komicit, nuk ka dhënë ende një përgjigje të detajuar për fatin e këtij produkti.
Pesticidet kancerogjene në treg: Një rrezik i përditshëm
Një investigim i fundit ka zbuluar edhe një skandal tjetër: 35 pesticide kancerogjene qarkullojnë lirisht në tregun shqiptar, pa asnjë kontroll të rreptë nga institucionet përkatëse. Eksperti i sigurisë ushqimore, Sokol Abazi, ka paralajmëruar se këto substanca ndodhen në produkte të përditshme si brioshët, drithërat, vaji i ullirit dhe erëzat si majdanozi dhe kopra.
Efektet e tyre janë alarmante: ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre substancave mund të çojë në kancer, çrregullime të sistemit imunitar, infertilitet dhe dëmtime të sistemit nervor. Pavarësisht kësaj, Ministria e Bujqësisë ka pranuar se AKU nuk ka informacion mbi këto pesticide, duke e justifikuar këtë mungesë me “konfidencialitetin” e laboratorëve.
Korrupsion dhe neglizhencë
Skandalet me ushqimet e kontaminuara nuk janë një fenomen i ri në Shqipëri. Në dhjetor 2024, Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) zbuloi se mandarinat shqiptare përmbanin pesticide të ndaluara. Nga 924 kamionë me mallra për eksport, çdo ngarkesë e kontrolluar në BE rezultoi e ndotur, ndërsa AKU shqyrtoi vetëm 28 mostra në një sipërfaqe prej 1,000 hektarësh.
Një tjetër skandal u zbulua në KFC, ku AKU konstatoi praninë e salmonelës në mishin e pulës. Nga 1,535 kg mish i kontaminuar, vetëm 177 kg u gjetën dhe u asgjësuan, duke lënë dyshime të forta për fatin e pjesës tjetër.
Po kështu, 13.2 ton akullore të kontaminuara me oksid etileni, një substancë që shkakton kancer dhe leucemi, u gjendën në treg, ndërsa qumështi dhe dhalla e prishur nga kompania “Lufra” arritën deri në tryezat e konsumatorëve. Skandaloz mbetet fakti që minjtë u filmuan mbi thasët e miellit të kompanisë “Diamond”, pa asnjë reagim nga AKU.
Kur do të merren masa?
Situata aktuale kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin e qytetarëve. Kërkohet një hetim i plotë nga SPAK për të zbuluar zinxhirin e korrupsionit që po lejon futjen e produkteve të ndotura në treg! Përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm tek fermerët apo importuesit, por duhet të shtrihet deri tek zyrtarët që neglizhojnë këto skandale.
Në një kohë kur qytetarët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të vazhdueshme, kërkohet një reformë urgjente në sistemin e kontrollit ushqimor dhe vendosja e standardeve më të rrepta për mbrojtjen e konsumatorëve. Çdo vonesë në këtë drejtim mund të ketë pasoja fatale për shëndetin e secilit prej nesh!