Teksa kanë kaluar më shumë se 24 orë nga sulmi me armë ndaj televizionit Top Channel, Policia e Shtetit ofron një shumë prej 100 mijë eurosh për të gjithë ata që japin informacion të vlerfshëm në lidhje me autorët.
Po ashtu me anë të një njoftimi zyrtar, Policia ka zbardhur dinamikën dhe itinerarin që kanë ndjekur personat që realizuan sulmin ndaj Top Channel, ku mbeti viktimë roja 60-vjeç, Pal Kola.
Në bazë të njoftimit te Policisë, automjeti i përdorur në krim, ‘Range Rover’, ngjyrë kafe, është vjedhur në Shëngjin në vitin 2020 dhe rezulton se i përkiste një qytetari nga Kosova. Ndërsa, targat “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës, që siç u raportua më herët, i përkisnin një kameramani të emisionit investigativ të Top Channel, ‘Inside Story’. Nga kamerat, grupi hetimor ka dalë në përfundimin se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjetit i autorëve është fiksuar në zonën e Kasharit. Më pas, ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit. Më pas, ata janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”. Makina rezultoi të ishte e autorëve të këtij sulmi. Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Tashmë, grupi hetimor ka në dorë automjetin dhe armën, në të cilat mund të gjenden gjurmë që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes që i mori jetën edhe rojes Pal Kola.
Njoftimi i Plotë i Policisë së Shtetit:
Më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç. Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr. Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit. Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe janë organizuar pika kontrolli në të gjitha akset rrugore të vendit. U formua grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit. Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përrreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.
Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë etj. Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre. Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.
Më datë 27.03.2023, në orën 19:00, nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar një analizë e detajuar e veprimeve hetimore të kryera, janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve. Po kështu, po analizohen të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi. Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.