Dalin në dritë detaje të reja nga vrasja e Eglantina Bucit para 8 vitesh në Malin me Gropa nga babai i saj Faik Buci dhe i vëllai Shkëlzen Buci, ngjarje e cila u zbardh plotësisht vetëm ditën e djeshme.
23-vjeçarja Buci nga Peshkopia ishte transferuar së bashku me familjen, dy vëllezërit dhe dy prindërit në Babrru të Tiranës. Gjatë kohës që jetonte në Tiranë vajza 23-vjeçare kishte filluar një lidhje intime me një djalë që banonte tek zona e “Freskut”.
Mësohet se 23-vjeçaria Eglantina Buci, është larguar nga banesa pa miratimin e familjes së saj, duke qëndruar për një periudhë kohe në bashkëjetesë me djalin që dashuronte. Por herë pas here babai dhe vëllai, i kanë kërkuar të kthehet në banesë, por vajza ka refuzuar.
BallkanWeb ka mësuar se ka qenë i ati i 23-vjeçares ka planifikuar vrasjen, ndërsa i vëllai ishte ekzekutori.
Vajza është marrë te zona e Freskut nën kërcënimin e armës dhe është ekzekutuar në Malin me Gropa, ku menjëherë pas krimit vëllai i viktimës e ka lënë trupin aty dhe është larguar. Pas tre-katër ditësh, i ati dhe vëllai i viktimës janë rikthyer në vendngjarje, kanë marrë trupin e pajetë të të resë dhe e kanë groposur rreth 500 metra më tej, nga frika se banorët e zonës mund ta gjenin.
Pas një muaji, një gjuetar ka gjetur pjesë eshtrash të 23-vjeçares, të cilat ishin nxjerrë nga kafshët e egra. Nisur nga eshtrat e sekuestruara dyshohet se viktima është ekzekutuar me një plumb në kokë, që përshkon nofullën e majtë dhe del në pjesën e pasme të kafkës.
Gjatë mbrëmjes së kaluar, janë thirrur në polici rreth 8 familjarë dhe të afërm të vajzës, të cilët janë pyetur nëse kanë pasur dijeni mbi ngjarjen e ndodhur më 2012-ën.
Por policia arrestoi vetëm Faik Bucin pas zbardhjes së ngjarjes. Ai akuzohet për vrasje për rrethana familjare, moskallëzimit të krimit, zhdukjes së kufomës e armbajtës pa leje. Ndërkohë vëllai i viktimës ndodhet në burg pasi po vuan dënimin me 13 vite heqje lirie për një vrasje të ndodhur në vitin 2017.