Një moment i rëndë dhe shumë emocional është shënuar në sallën e gjyqit në Romë gjatë seancës për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula. Nëna e djalit që akuzohet për krimin kërkoi falje nga familja e vajzës, por nëna e Ilarias refuzoi ta pranonte.
Seanca gjyqësore, që zgjati rreth gjashtë orë, u përqendrua në dëshminë e Nors Manlapaz, nëna e Mark Samsonit, i akuzuar për vrasjen e ish të dashurës së tij, studenten shqiptare Ilaria Sula, më 26 mars 2025. Gruaja u shpall fajtore dhe u dënua me dy vjet burg për ndihmë dhe bashkëpunim në fshehjen e kufomës.
Në fund të dëshmisë së saj, Manlapaz shpërtheu në lot dhe kërkoi falje nga prindërit e vajzës. Ajo u përpoq t’i afrohej nënës së Ilarias, Gëzime Sula, për ta përshëndetur dhe për t’i kërkuar falje personalisht. Megjithatë, nëna e studentes shqiptare refuzoi ta takonte.
Familjarët e Ilarias u paraqitën në sallën e gjyqit të veshur me bluza të bardha me mbishkrimin “Drejtësi për Ilarian”, ndërsa dhimbja për humbjen e vajzës së tyre mbetet ende shumë e fortë.
Gjatë dëshmisë së saj, Nors Manlapaz tregoi se çfarë kishte ndodhur në apartamentin e familjes në Via Homs në Romë mes datave 24 dhe 26 mars. Sipas saj, atë mëngjes ajo dëgjoi Markun dhe Ilarian duke u grindur në dhomë dhe shkoi të trokiste në derë e shqetësuar.
“I dëgjova duke folur me zë të lartë nga dhoma, duke u grindur. Kështu që shkova të trokita në derë, e shqetësuar. Marku më tha: ‘Mami, po flasim vetëm’. Pak më vonë dëgjova Ilarian duke bërtitur dhe duke thënë: ‘Çfarë do të bësh tani?’ U përpoqa të hyja brenda, por ai më tha dy herë: ‘Mami, prit’”, deklaroi ajo në gjykatë.
Sipas saj, kur dera u hap, ajo pa shumë gjak në dysheme rreth kokës së Ilarias. Më pas djali i kërkoi një valixhe dhe i tha të blinte çanta dhe detergjent për të pastruar gjakun.
“Mbaj mend që pashë shumë gjak në dysheme, rreth kokës së Ilarias. Marku më çoi në dhomën time dhe më pyeti: ‘Mami, a kemi ndonjë valixhe?’ Pastaj më tha të shkoja të blija çanta dhe detergjent. Ai përdori peshqirë letre për të pastruar gjakun dhe unë i dhashë disa rroba të vjetra. I thashë: ‘Hiq pjesën më të madhe të gjakut’”, u shpreh ajo.
Manlapaz pranoi gjithashtu se pasi djali i saj u largua nga shtëpia, ajo pastroi dhomën dhe hodhi sendet e Ilarias.
“Kur Marku doli nga shtëpia, pastrova dhomën e tij. Kishte shumë gjak në dysheme. Mora çantën e shpinës së Ilarias me rrobat e saj brenda dhe i hodha të gjitha. Pastaj zbraza koshin e plehrave të Markut. Brenda kishte prezervativë. Më vjen shumë keq për Ilariën, por u frikësova dhe mendova për djalin tim në radhë të parë”, deklaroi ajo.
Prindërit e studentes shqiptare reaguan me dhimbje dhe zemërim ndaj dëshmisë së saj. Flamur dhe Gëzime Sula ngritën pyetjen pse ajo nuk ndërhyri kur dëgjoi vajzën duke bërtitur dhe pse nuk njoftoi policinë.
“Pse nuk ndërhytët kur dëgjuat Ilariën duke bërtitur nga dhoma e Markut? Pse nuk thirrët policinë kur djali juaj hapi derën dhe ju patë trupin e Ilarias? Ndoshta ajo ishte ende gjallë. Por ju nuk e ndaluat atë. Për ne çdo seancë gjyqi është një plagë. Nuk e kemi parë Ilariën prej një viti. Nuk ka asnjë justifikim për atë që ndodhi”, deklaruan ata.
Prokurorët e Romës, të koordinuar nga zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, e akuzojnë Mark Samsonin për vrasje me dashje me rrethana rënduese të paramendimit, motive të kota dhe fshehje të kufomës.
Sipas hetimeve, mëngjesin e 26 marsit 2025 ai e goditi ish të dashurën e tij me thikë tre herë në qafë, më pas futi trupin e saj në një çantë shpine dhe e hodhi nga një shkëmb në zonën e Capranica Prenestina.
Gjyqi ndaj Mark Samson do të vazhdojë më 17 mars, kur pritet të merret në pyetje edhe vetë i pandehuri.







