Një ngjarje e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Divjakë, ku Hekuran Rrasa vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij, Fëllënxë Rrasa dhe më pas vrau veten.
Djali i i çiftit, Leonardo Rrasa në emisionin “Me zemër të hapur” ka zbuluar ditën e sotme detaje të reja nga vrasja e dyfishtë. Ai ka treguar konfliktet e vazhdueshme të prindërve dhe sipas tij ata kishin konflikte dhe grindeshin shumë por vetëm me fjalë. Po ashtu ai i qëndron deklaratës së tij të parë dhe ripërsërit se babai nuk e kishte dhunuar më parë nënën, duke theksuar edhe një herë që kjo ka qenë dhe arsyeja që gruaja nuk e ka denoncuar më parë atë. Po ashtu djali ka treguar se Fëllënxa ishte larguar nga shtëpia për një javë dhe është kthyer vetëm pasi Leonardi e ka telefonuar dhe e ka siguruar se babai nuk do ta prekte më me dorë dhe nuk do ta fyente dhe shante më.
Pjesë nga intervista:
Babai ishte i pakënaqur me punët e gruas?
Çfarë kërkonte ai te nëna ime. Ajo bënte vazhdimisht punë, punët e shtëpisë, të bujqësisë.
E mban mend ditën që mami iku nga shtëpia te gjyshi për të mos u kthyer?
Po, e mbaj mend. Mami iku nga shtëpia, më tha mua që nuk do të kthehej më. Qëndroi një javë atje, e mora në telefon dhe i kërkova të kthehej, pasi i thashë se babai më ka premtuar që s’do ta ngacmonte e shante më. Mami nuk e ka denoncuar më parë, pasi nuk mendonte se do të shkonte puna deri në vrasje. Ata kanë pasur konflikte më parë, por babi nuk e ka rrahur. Ata grindeshin me fjalë, por nuk e ka dhunuar nënën.
Çfarë biseduat me babanë para se të kthehej nëna?
Babai nuk ishte i qetë në ato momente, por më tha të shkoja të merrja paketë e të pinim kafe. Para se të ikte mami, ata patën grindje. Pastaj, e mora mamanë pas një jave dhe i thashë babait që s’do ta prekte më.