Skip to content
Kosovë

Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, reagon Vjosa Osmani: Vetëm drejtësia mund ta ndryshojë situatën

· 2 min lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Ferizaj, ku një 18-vjeçare u la e vrarë para dyerve të spitalit. Osmani shprehet se vetëm drejtësia dhe dënimi për ata që i kryejnë këto krime, mund ta ndryshojnë situatën e pabarazisë me të cilën Kosova përballet.

Presidentja i bën thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit për gjetjen e vrasësit  dhe po ashtu u bën thirrje institucioneve të punojnë fort dhe pandërprerë derisa përgjegjësi të jetë pas hekurave.

Reagimi i plotë:

Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.

Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave.

Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.

Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.