Mbrëmë, një tjetër skenë e turpshme është regjistruar në aeroportin e Barcelonës. Kompania problematike ajrore Wizz Air la pasagjerët që prisnin fluturimin për në Tiranë për më shumë se një orë e gjysmë, pa dhënë asnjë shpjegim. Askush nuk mori përgjigje, asnjë njoftim zyrtar, vetëm pritje në heshtje. Një trajtim i përsëritur, që tashmë është kthyer në normë për shqiptarët, të cilët ndihen si qytetarë të dorës së dytë sa herë marrin fluturime me këtë kompani.
Wizz Air, kompania që ka përfituar miliona nga tregu shqiptar, njihet për vonesat e shpeshta, anulimet pa paralajmërim, tarifat e fshehta për çdo shërbim bazik dhe mungesën totale të transparencës. Qytetarët denoncojnë çdo ditë rritje të çmimeve në mënyrë të njëanshme, ulje të kapaciteteve pa njoftim dhe vonesa sistematike në çdo fluturim. Biletat shiten përtej kapacitetit, pasagjerët mbeten të bllokuar nëpër aeroporte dhe nuk gëzojnë asnjë të drejtë reale mbrojtjeje. Megjithatë, shteti shqiptar nuk reagon.
Ndërkohë, abuzimi me shqiptarët nuk kufizohet vetëm te Wizz Air. Një vëzhgim i thjeshtë në faqen e kompanisë Vueling tregon qartë diskriminimin e Shqipërisë në krahasim me destinacione të tjera europiane.
Për të njëjtën periudhë korriku 2025, fluturimi Barcelona-Tiranë arrin deri në 228 euro (më 20 korrik), ndërsa për në Itali (Bologna) çmimet fillojnë nga 27 euro, për në Amsterdam nga 83 euro dhe për në Athinë, edhe pse më e shtrenjtë, përsëri më e lirë se Tirana.
Abuzim i pastër me çmimet, që nuk ka asnjë justifikim logjik apo ekonomik tjetër përveç bindjes së heshtur se Shqipëria është treg i pambrojtur.
Në vende si Spanja, autoritetet veprojnë. Ministri spanjoll i të Drejtave Sociale dhe Konsumatorit, Paolo Bustinduy, ka nisur më herët një proces sanksionesh kundër kompanive që abuzojnë me pasagjerët, përfshirë edhe Wizz Air. Për tarifat e pajustifikuara për bagazhet e dorës dhe shërbimet bazike, janë vendosur gjoba në një total prej 179 milionë eurosh ndaj Ryanair, EasyJet, Vueling, Norwegian, Volotea dhe të tjerave. Praktika të cilësuara si të paligjshme dhe të dëmshme për konsumatorin.
Por në Shqipëri, heshtja vazhdon. Autoriteti i Aviacionit Civil nuk mban asnjë qëndrim, ministria përkatëse nuk hap asnjë hetim, nuk merret asnjë masë. Kompanitë e huaja, që në vende të tjera nuk guxojnë të sillen kështu, në Shqipëri ndihen të paprekshme. Ky është një akt përçmimi ndaj qytetarëve të këtij vendi.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një autoritet real të mbrojtjes së konsumatorëve, një institucion që nuk e ka frikë oligopolin e fluturimeve, që nuk fshihet pas mungesës së kompetencës, por që vepron, gjobit, ndëshkon. Derisa kjo të ndodhë, qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë më shumë për më pak, të trajtohen si të padukshëm dhe të përbuzur, ndërsa shteti do të vijojë të jetë bashkëfajtor në heshtje.