Vlorë/ Zbulohet shënjestra e atentatit. Personi i njohur për policinë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në atentatin e shënuar ditën e sotme në qytetin e Vlorës, ku një person ka mbetur i plagosur, krejt rastësisht, teksa pinte kafe në një lokal pranë përplasjes së armatosur, mësohet  se ështe jashtë rrezikut për jeten.

Personi që mbeti i plagosur është Dajko Cenodemaj. Sipas burimeve të “shqiptarja.com”shpjegohet dinamika e ngjarjes ku persona nga dy automjete në ecje kanë shkëmbyer zjarr mes tyre me breshëri. Makinat kanë lëvizur paralel në rrugë, ndërsa në një moment automjetet janë ndalur para një lokali në Lungomare.

Aty kanë qëlluar sërish me breshëri automatiku, ku disa persona kanë dalë edhe jashtë makinës duke ju afruar kundërshtarëve. Shënjestër e atentatit dyshohet të ketë qenë Inez Hajrulla, që dyshohet të jetë një person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë në lokal në momentin kur ndodhi atentati. 27- vjeçari Inez Hajrulla  është djali i një biznesmeni të qytetit bregdetar, pronar i disa lokaleve.

Në vitin 2017, 27-vjeçarit iu bë një atentat me eskploziv. Si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse ai mbeti i plagosur rëndë duke pësuar dëmtime në të dyja këmbët.

Hajrulla është arrestuar në vitin 2013, për grabitjen me armë të një kazinoje, por u la i lirë për mungesë provash. Ndërsa në 26 dhjetor 2016, i riu u prangos gjatë një kontrolli të policisë pasi iu gjet një armë zjarri pistoletë, pa leje.

Ngjarja ka ngjallur panik edhe tek personat e ulur në lokal, të cilët në momentin e breshërisë janë ulur poshtë tavolinave dhe janë futur me shpejtësi brenda.

Autorët janë larguar me automjetet përkatëse dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë. Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë njëri grup të autorëve të atentatit. Makina është një Land Rover i zi, që rezulton të jetë me targa të vjedhura ndërsa brenda saj u gjetën dy armë automatike.

Policia është duke kryer kontrolle për kapjen e autorëve në kondrat e Babicës dhe të Bonavisë, ndërsa dyshohet të kenë qenë tre persona të përfshirë.

Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës, është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje.

Shpërndaje
Share.

Komento