Vjosa del nga shtrati, përmbyten disa lagje, Drini vërshon në Lezhë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Dje u përmbytën disa lagje në Vlorë, ndërsa sot bëhet me dije se lumi Vjosa ka dalë nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Lumi ka arritur lartësinë e ujit 6.3 metra, dhe nëse reshjet vazhdojnë dhe sot, pritet që Vjosa të shkaktojë probleme në gjithë fshatrat përreth.

Gjithashtu, për shkak të reshjeve me intensitet të lartë probleme ka dhe në qytete të tjera të vendit. Në Lezhë lagja “Besëlidhja” është përmbytur nga vërshimi i ujit, i cili ka hyrë në blloqet e pallateve.

Sipas parashikimeve meteorologjike moti sot do të mbetet nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, me reshje shiu me intensitet deri mesatar në të gjithë vendin.

Deri në mesditë, në veriperëndim dhe pjesërisht në qendër të territorit do të ketë reshje shiu me intensitet deri të lartë, hera-herës reshje në formën e rrebesheve dhe stuhive.

Në zonën e Alpeve dhe në verilindje në lartësitë mbi 600 metër reshje në formën e dëborës, raporton Shërbmi Meterologjik Ushtarak.

Mjegull të dendur do ketë në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës. Era nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 1-8m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe në momentin e reshjeve fiton shpejtësi deri në 18m/sek. Valëzimi në dete do jetë i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen: vendet malore 5°C deri në 10°C; vendet e ulëta 10°C deri në  16°C. vendet bregdetare 10°C deri në 16°C.

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë disa paralajmërime serioze të IGJEUM.

/Gazetareforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento