Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës Astrit Hysenaj, 54 vjeç, familjarët e tij kundërshtojnë publikisht versionin e dhënë nga Bashkia e Durrësit. Sipas autoriteteve vendore, viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq dhe po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal, një pretendim që të afërmit e hedhin poshtë.
Familjarët deklarojnë se Astrit Hysenaj ishte nisur për në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike. Ata theksojnë se ai ka qenë në detyrë deri në momentet e fundit të jetës së tij.
“Daja u nis në punë në 5.30 si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye nga puna dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 8.25 ka qenë duke punuar te mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e të ndjerit, Klodiana Bërsheni.
Sipas familjarëve, pamjet filmike provojnë se 54 vjeçari ndodhej në krye të detyrës dhe ata kërkojnë që çdo regjistrim pas kësaj ore të bëhet publik.
“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, deklaroi Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.
Të afërmit sqarojnë gjithashtu se kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë ndodhet pranë vendit ku ai është parë për herë të fundit, duke argumentuar se rrjedha e ujit e ka çuar trupin pikërisht aty. Ata kërkojnë që figura e tij të mos përbaltet me pretendime që, sipas tyre, nuk qëndrojnë.
“Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, u shpreh mbesa e viktimës.
Pamjet filmike janë vënë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Familjarët kërkojnë edhe mbështetje ekonomike për familjen e Astrit Hysenajt, pasi ai ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Sipas tyre, në xhepin e viktimës policia ka gjetur 10 mijë lekë të vjetra.
Të afërmit theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por refuzojnë kategorikisht versionin se Astrit Hysenaj nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar atë si një njeri dhe punonjës korrekt, të përkushtuar ndaj detyrës.








