Përkeqësohet situata e protestës së organizuar në Athinë, ku një përplasje ndërmjet protestuesve dhe forcave të policisë ka shkaktuar një të plagosur nga forcat e policisë.
Pasditen e sotme filloi një demonstratë masive ku mijëra qytetarë shprehën indinjatën e tyre për dhunën e policisë dhe incidentet e dhunshme të dielën e kaluar.
Situata ka agravuar kur 1 polic ka mbetur i gjakosur në Greqi për shkak të protestave të dhunshme. “Protothema” shkruan se protestat në Greqi kanë nisur për shkak të dhunës së shumtë të treguar nga policët kundrejt disa personave që nuk kishin vendosur maskën.
Polici u godit nga disa persona me kapuç në kokë, teksa po ecte me motorr. Të rinjtë e goditën policin me mjete të forta, ndërkohë që pas disa minutash disa policë të tjerë erdhën për ndihmë ku dhe larguan të rinjtë nga trupi pa ndjenja i policit.
Ndërkohë që për shkak se rrugët ishin të bllokuara nga protestuesit ambulanca për të marrë efektivin pa ndjenja u vonua rreth 30 minuta. Mediat greke kanë postuar shumë video në lidhje me këtë polic.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, I cili dënoi incidentet që ndodhën sonte në Nea Smyrni dhe plagosjen e oficerit të policisë. Ai kërkoi nga njerëzit që të përmbahen në sjelljet e tyre të dhunshme.
Mesazhi i plotë:
“Imazhet e trishtueshme të dhunës që pamë të gjithë sonte në Athinë duhet të jenë të fundit. Dhe jeta e një prej bashkëqytetarëve tanë, policit të ri që ishte në rrezik, vlen për të na zgjuar. Në këto momente, përmbajtja dhe gjakftohtësia duhet të mbizotërojnë nga të gjithë. Dhe u drejtohem veçanërisht të rinjve tanë, të cilët janë të destinuar të krijojnë. Jo për të shkatërruar. Zemërimi i verbër nuk çon askund.
Për fat të keq, disa njerëz i injoruan paralajmërimet tona. Dhe atyre që përpiqen të mbjellin urrejtje dhe përçarje në shoqëri për të mbuluar ngërçin e tyre, siç bënë në të kaluarën, u përgjigjem si vijon: Në natën e zgjedhjeve të 7 korrikut 2019, theksova se jam këtu për të garantuar unitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë grekëve. E përsëris këtë tani. Nuk do të lejoj askënd të na ndajë. Ne nuk do të lejojmë askënd të na kthejë mbrapsht ”.