Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), ka shkarkuar ditën e sotme Gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Artur Gaxhën nga detyra, me motivacionin se ky i fundit nuk ka justifikuar dot pasurinë e tij.
Gaxha është përballur menjë seri peroblemesh të pasurisë dhe mungesë burimesh e referencash gjatë seancës dëgjimore me KPK-në gjatë ditës së premte së kaluar.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive (ILDP), nuk kishte konstatuar më parë probleme në pasurinë e Gaxhës, por KPK ka përmbysur gjithçka gjatë seancës.
Trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Roland Ilia anëtar, theksuan se gjyqtari rezultonte me pamundësi financiare në dhjetëra milionë lekë për krijimin e pasurive të tij si dhe mosdeklarim të pasurive dhe huave.
Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha , gjatë seancës i kundërshtoi gjetjet e trupës gjykuese dhe e konsideroi hetimin si të paragjykuar.
Gjatë fjalës së tij në seancë, Gaxha e cilësoi raportin e KPK-së me gabime të rënda dhe të pabazuar në prova. “E konsideroj si paaftësi, për të mos e vlerësuar dashakeqësi. Një guxim të tepruar për tejkalimin e ligjit nga Komisioni”, deklaroi gjyqtari Artur Gaxha.
Kujtojmë se gjyqtari Artur Gaxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2016 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë.
Problemet me pasurinë;
Komisioni konstatoi pamundësi financiare të Gaxhës për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe180 m2 në Tiranë në vitin 2015 për shumën 200 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, ai ka deklaruar një kredi në vlerën 120 mijë euro, 41 mijë euro të përfituara nga shitja e një apartamenti në Golem, 1.5 milionë lekë nga shitja e një automjeti dhe kursime familjare.
Kur është nënshkruar kontrata e pasurisë në vitin 2010, Gaxha ka deklaruar se ka paguar këstin e parë në shumën 60 mijë euro, por pa pasqyruar burimin e kësaj vlere. Detyrimin e mbetur ndaj kompanisë ai e ka shlyer në vitin 2015. Komisioni ka identifikuar një kontratë të dytë ku ishte ndryshuar plani i pagesës së kësteve.
Gaxha tha se në kontratën finale nuk përcaktohej se kur dhe si do të shlyhej vlera 140 mijë euro. Ai këmbënguli se këstin e fundit e ka shlyer në vitin 2015, kur ka marrë në dorëzim apartamentin.
Kryesuesja Firdes Shuli e pyeti Gaxhën se përse nuk ishte kryer revokimi i një prej kontratave, në kushtet kur ekzistonin dy të tilla me të njëtat ekstremitete, por të dhëna të ndryshme. Gjyqtari Gaxha shpjegoi se kishte rënë në dijeni të këtij fakti kur ishte njohur me raportin e Komisionit dhe se palët nuk kishin patur ndonjë pretendim. Ai i kërkoi Komisionit të reflektonte mbi provat e dorëzuara dhe ndryshim të analizës financiare.
Komisioni ka analizuar burimet e deklaruara për shlyerjen e çmimit të apartamentit 200 mijë euro. Shuma 41 mijë euro e deklaruar si e prejardhur nga shitja e një apartamenti në Golem, nuk është konsideruar për shlyerjen e këstit të parë pasi kjo vlerë ishte përfituar në nëntor të vitit 2010, ndërkohë që pagesa 60 mijë euro ishte kryer një muaj më parë, në muajin tetor.
Nga analiza financiare është konstatuar gjithashtu mungesë burimesh për blerjen e apartamentit në Golem në vitin 2006, pasi ka rezultuar me balancë negative prej 4.4 milionë lekësh për vitin.
Po ashtu nuk është përfshirë në analizën financiare edhe vlera 1.5 milionë lekë e përfituar nga shitja e një automjeti “Suzuki” në vitin 2010. Nga hetimi ka rezultuar se këtë makinë, Gaxha e kishte blerë në vitin 2004 kundrejt shumës 2700 euro dhe një vit më pas kishte paguar doganën në vlerën rreth 226 mijë lekëve. Për shkak se është shitur disa herë më shtrenjtë nga vlera e blerjes, Komisioni ngre dyshime për çmimin real të shitjes. Ndërkohë, për shkak të mospagimit të tatimit të fitimit, kjo vlerë nuk është konsideruar nga KPK si burim i ligjshëm.
Gaxha e kundërshtoi këtë konkluzion të KPK duke u bazuar në kërkesën e tregut. “Vërtet nuk kemi paguar tatim- fitimin, por kështu ka funksionuar në atë periudhë. Formalizimi është kryer në vitin 2011,” pohoi Gaxha.
Tjetër vlerë që nuk është konsideruar prej Komisionit ka qenë edhe shuma 9 mijë USD e deklaruar si kursime në gjendje cash në vitin 2003, me burim të ardhurat e vëllezërve nga puna në emigrim. Sipas Komisionit, nuk është provuar me dokumentacion burimi i kësaj vlere.
Relatorja Pamela Qirko tha se nga analiza financiare ka rezultuar se gjyqtari Artur Gaxha ka qenë në pamundësi financiare për pagesën e këstit të parë të këtij apartamenti në shumën 8 milionë lekë në janar të vitit 2010. Ndërkohë, kësti i dytë në shumën 120 mijë euro si burim i të cilit ka rezultuar një kredi në të njëjtën vlerë ka rezultuar pa probleme. Sipas Komisionit, kjo vlerë është transferuar për llogari të shoqërisë ndërtuese.
Komisioni konkludon se kësti i tretë në shumën 20 mijë euro është paguar në vitin 2011, kur apartamenti është marrë në dorëzim. Në këtë vit ka rezultuar balancë negative në shumën e 7.7 milionë lekëve dhe Komisioni konstaton se Gaxha nuk ka patur mundësi të paguajë vlerën 20 mijë euro për shlyerjen totale të apartamentit.
Në vitin 2005, Gaxha ka deklaruar pasuritë apartament+dyqan+garazh të blera në Tiranë për vlerën 134 mijë USD, por nuk ka pasqyruar burimin. Sipas Komisionit, në kontratë nuk specifikohet çmimi për secilën pasuri. Në deklaratën veting, Gaxha ka deklaruar si burim krjimi të kësaj pasurie një pjesë të lotarisë së përfituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA dhe hua në shumën 60 mijë USD.
Komisioni konstaton se kjo hua nuk është deklaruar në vitin 2005, por vetëm në vitin 2015 në ILDKPKI. Për këtë arsye, vlera 60 mijë USD e deklaruar si e marrë hua nuk është përfshirë në analizën financiare.
Qirko e pyeti Gaxhën për mosdeklarimin e huasë që më pas e kishte deklaruar në vitin 2015 në ILDKPKI. Gjithashtu, ajo e pyeti se përse e shleu pas 10 vitesh. Gaxha shpjegoi se e kishte marrë pasi kishte patur mundësi ta shlyente për shkak se kishte fituar një llotari në SHBA në shumën 500 mijë USD.
Relatorja Qirko vijoi se në deklaratën veting, Gaxha ka pasqyruar përfitimin e vlerës 84 mijë si fitues i një llotarie në vitin 2006. Ajo shtoi se konfirmohet vlera e përfituar, por nuk shpjegoi më gjatë lidhur me llotarinë e përfituar në USA nga Artur Gaxha – duke i cilësuar të dhënat si sensitive. Gaxha deklaroi se e kishte fituar llotarinë se bashku me motrën e tij.
Komisioni konstaton se Gaxha nuk ka deklaruar blerjen e një autoveture tip Benz të patarguar në vitin 2004 në shumën 9500 euro. Gjithashtu, u identifikua mosdeklarimi i vlerës reale për një autoveturë tip Benz me vlerë 55 mijë USD, që Gaxha e zotëron në bashkëpronësi me motrën e tij.
Për shlyerjen e pjesës së tij takuese në shumën 27 mijë e 500 euro, Gaxha ka deklaruar si burim krijimi lotarinë e fituar nga SHBA. Sipas Komisionit, pagesa është kryer fillimisht nga Gaxha, por ai nuk ka deklaruar huatë që i ka dhënë të afërmes dhe kthimin e këtyre vlerave gjatë periudhës 2011-2013 kur mjeti ka qenë ende i pazhdoganuar.
Qirko tha se mjeti në fjalë është deklaruar në doganë për vlerën 350 mijë lekë dhe është zhdoganuar në vitin 2014 për shumën 400 mijë lekë. Nga verifikimi ka rezultuar se zhdoganimi është kryer tre vjet pas blerjes.