Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën pasditen e sotme. Rreth orës 13:30, në poligonin e qitjes “Action Target”, pranë stadiumit “Air Albania”, ka humbur jetën 35-vjeçari Bledi Hasani. Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se i riu dyshohet se është vetëvrarë me armën e zjarrit gjatë ushtrimeve në poligon, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe dokumentuar plotësisht rastin.
Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të një strukture private që, sipas ligjit, duhet të garantojë standarde të larta sigurie për çdo klient, përfshirë mbikëqyrjen e vazhdueshme nga një instruktor i licencuar gjatë qitjeve. Vetëvrasja e një klienti brenda një poligoni të këtij lloji ngre pyetje serioze për protokollet e sigurisë, reagimin e stafit dhe mënyrën se si kontrollohet përdorimi i armëve në ambiente private ku qarkullon municion real.
Por më shumë se një aksident apo vetëvrasje individuale, rasti ndriçon edhe një tjetër aspekt të errët: pronësinë e këtij poligoni. “Action Target” është në pronësi të biznesmenit Emiljano Dusha, një emër i njohur në botën e tenderëve të sigurisë dhe mbrojtjes, i cili prej më shumë se një viti është nën hetim nga SPAK për kontrata të dyshimta në industrinë e armatimit dhe përfitime të mëdha nga buxheti i shtetit.
Dusha është përmendur vazhdimisht në mediat investigative për lidhjet e tij me segmente të pushtetit dhe përfitimet e mëdha përmes kompanisë së tij Military System Supply Company (MSSC), e cila ka fituar kontrata të armatimit për ushtrinë shqiptare që kapin vlera prej qindra milionë lekësh. Në nëntor 2023, vetëm pak muaj pasi SPAK kishte nisur hetimet mbi tenderët e Ministrisë së Mbrojtjes, MSSC mori një pagesë prej 650 milionë lekësh nga thesari i shtetit për furnizime armësh, edhe pse hetimet ishin në zhvillim. Praktika të tilla janë krahasuar me skemat e inceneratorëve, ku kompanitë vijonin të paguheshin edhe pasi kishin hyrë nën hetim penal.
Hetimet e SPAK përfshijnë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndërkohë që Dusha ka qenë subjekt i akuzave të shumta për lidhje me qeverinë dhe për përdorimin e kontratave publike për pasurim personal. Ai është paditur më herët në SPAK nga deputeti Belind Këlliçi për blerje votash gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, si dhe është përmendur në një incident të bujshëm në vitin 2005, kur gazetari Mero Baze deklaroi publikisht se ishte dhunuar nga persona të lidhur me Dushën.
Në korrik 2024, bilancet e dorëzuara në Tatime treguan se kompania MSSC kishte përfituar rreth 7 milionë euro fitim neto, por pronari nuk kishte paguar asnjë qindarkë tatim mbi dividentin. Në vend që të shpërndante fitimin, Dusha e futi shumën si rritje kapitali në kompaninë e tij, duke e çuar kapitalin nga 330 milionë në 1 miliard lekë. Ky manovrim, edhe pse teknikisht i lejuar nga ligji, u interpretua si një mënyrë për të shmangur pagesën e detyrimeve tatimore dhe për të “pastruar” fitimet e ardhura nga kontratat publike.
Në gusht 2025, Dusha zgjeron ndikimin e tij në industrinë e mbrojtjes duke krijuar dy kompani të reja: M.K.D. dhe GUNA TACTICAL, të cilat kanë si ortakë shtetëron KAYO sh.a., një kompani nën drejtimin e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Përmes këtyre ortakërive, Dusha siguron kontrollin praktik mbi prodhimin dhe tregtimin e municioneve, uniformave dhe aksesorëve ushtarakë, duke hyrë në zemër të industrisë strategjike të armëve shqiptare. Shteti, në pamje të parë, mban pjesën më të madhe të aksioneve, por strukturat e kontrollit dhe përfitimit real janë në duart e kompanive private të Dushës, që dominojnë vendimmarrjen ekonomike.
Kjo ndarje formale e aksioneve, por reale e pushtetit ekonomik, shihet nga ekspertët si një formë e “privatizimit të heshtur” të sektorit të armëve, ku interesat private marrin kontroll mbi asetet dhe aktivitetet e mbrojtjes kombëtare përmes “partneriteteve strategjike”.
Në këtë sfond, ngjarja e sotme në poligonin “Action Target” ngre pyetje jo vetëm për sigurinë e klientëve, por për mënyrën se si figura me histori të dyshimta në kontrata shtetërore arrijnë të zotërojnë dhe administrojnë biznese të lidhura me armë, qitje dhe trajnime ushtarake, në zemër të kryeqytetit.
Vdekja e Bledi Hasanit në një ambient që duhej të ishte i garantuar dhe i kontrolluar, por që rezulton në pronësi të një personi nën hetim për tenderë armësh, është alarm për standardet e sigurisë, kontrollit dhe transparencës në sektorë ku ligji dhe etika shpesh mbeten peng i fuqisë dhe lidhjeve politike.
Si është e mundur që një industri e tërë armësh, tenderash dhe strukturash trajnimi të qëndrojë nën kontrollin e të njëjtëve emra që prej vitesh përmenden në hetime dhe skandale, pa asnjë ndërhyrje reale nga shteti?
Duket se në këtë sistem arma, paraja dhe pushteti ecin gjithmonë në të njëjtën vijë, ndërsa përgjegjësia mbetet e paadresuar.