Pas përfundimit të Asamblesë së Pedagogëve në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dekani Sabri Laçi, zbardhi vendimet pas një diskutimi prej 1 orë e gjysmë.
Nga java e ardhshme, tha ai, do të ketë një ditë protestë në javë sipas një kalendari.
Laçi: “Asambleja e pedagogëve është thirrur për situatën e krijuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe përgjithësisht në arsimin e lartë, në institucionet publike të arsimit të lartë në Shqipëri. Meraku i të gjithë ishte dhe mbetet sesi do të dilet nga kjo situatë, si do të reagojnë në vijimësi profesorati dhe institucionet drejtuese. U diskutua për gati një orë e gjysmë dhe dolën një sërë propozimesh. Asambleja ishte unanime në vendim-marrjen e sotme. U vendos që kjo javë të shpallet javë proteste nga stafi akademik i Historisë dhe Filologjisë dhe në vijimësi në javët që vinë protesta do të vijojë një ditë në javë sipas një kalendari, javën e parë të hënën, të dytën të martë etj. Qëllimi i kësaj proteste do të jetë ndërgjegjësimi për gjithë problematikën e gjerë që ka arsimi i lartë në Shqipëri.
Të gjithë janë të preokupuar për zgjidhje. Ne presim zgjidhje nga qeveria për pjesën e vet dhe shprehim angazhimin tonë për të zgjidhur të gjithë problematikën që gjendet në duart tona. Kjo javë është javë proteste në mjediset e Fakultetit dhe oborrin e Fakultetit. Të gjithë në institucion, por nuk do të bëjmë mësim. Do ta përvijojmë këtë protestë në javët në vijim derisa të gjejmë përgjigje për problemet që kemi parashtruar lidhur me autonominë universitare, respektimin e lirive akademike, respektimin e universitetit, me zgjidhjen e të gjitha gjërave të tjera që ngërthen ligji i arsimit të lartë. Kemi vënë re që nuk ka një predispozicion të shprehur nga institucionet qeverisëse për të ndërhyrë për ndryshime thelbësore në ligjin e arsimit të lartë siç kemi kërkuar. Problematika për ligjin është e vjetër. Pas katër vjetësh rezulton se gjithçka që është thënë kur bëhej ligji që do të krijonte probleme, ka krijuar probleme.”
Po studentët?
Laçi: “Studentët kanë protestën e tyre, kjo ishte mbledhja e Asamblesë së stafit akademik.Studentët janë të ndarë në kategori sipas këndvështrimit tonë, ka një pjesë vazhdojnë me këmbëngulje protestën dhe qëndrojnë stoik në mjediset e Fakultetit duke protestuar në forma qytetare. Ne i kemi të lavdërueshëm studentët tanë.Ka një kategori studentësh që janë nëpër shtëpi dhe mesa duket nuk arrijnë të përballojnë jetën në Tiranë. Presin zgjidhje përfundimtare, por zgjidhja për studentët duhet të vijë prej tyre. Mesa kam kuptuar unë ata presin të reagojë qeveria me akte konkrete.Nuk kam asnjë kërkesë nga studentët për të filluar mësimin, por ka studentë që dëshirojnë të bëjnë mësim.”
Mbyllja e vitit akademik
Laçi: “Është një zgjidhje që na takon ne. Në Asamble është shprehur qartë vullneti, vendosmëria e gjithë stafit akademik për t’u angazhuar totalisht për të përmbushur programin mësimor në kohë rekord, duke sakrifikuar dhe nga ditët e pushimeve me qëllim që studentët të marrin të gjithë njohuritë që ka parashikuar programi mësimor.”
Oponencë ligjit të arsimit të lartë?
Laçi: “Është diskutuar dhe për këtë. Oponencën e kemi bërë dhe do të vijojmë ta bëjmë. Nëse na kërkohet ne jemi gati të shprehemi pikë për pikë se çfarë nuk qëndron në ligjin e arsimit të lartë. Kemi zgjedhur disa grupe pune për menaxhimin e protestës, përfaqësimin në komisionet parlamentare nëse na thërrasin për raportim, një grup për ringjalljen e Sindikatës. Asambleja mbështet kundërshtimin e plotë të disa VKM-ve dhe urdhrave që qeveria i ka nxjerrë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Besojmë fort se ligji i arsimit të lartë do të rishihet në mënyrë thelbësore. Po ndryshon dhe Kushtetuta, ligji mund të ndryshojë dhe më kollaj.”