Nuk kanë fund ngjarjet tronditëse në vend në 24 orët e fundit pasi një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan. Një person është ekzekutuar në lagjen “Skënderbej” në makinën e tij.Personi që ka mbetur i vrarë është Everest Caka i njohur edhe si Ibrahim Çaka, ndërsa në momentin që ka ndodhur vrasja ai ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij tip “Opel”.
Po ashtu nga të dhënat paraprake është bërë me dije se në makinë ka qenë pasagjere edhe bashkëshortja e tij, Silvana Çaka ndërsa thuhet se ajo ka mbetur e plagosur dhe është dërguar për kujdes mjekësor në spitalin e Elbasanit.
Ndërkohë, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe është duke kryer kontrolle dhe po punon për të zbardhur rrethanat që çuan në vrasjen e Çakës.
Kujtojmë që vendi është tronditur dy ditët e fundit nga vrasjet që kanë ndodhur. Ditën e djeshme u ekzekutua në Vlorë Bledar Birçaj, të cilit iu bë pritë teksa lëvizte me makinën e tij dhe u qëllua me breshëri plumbash. Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes, u vra 27-vjeçari Mehmet Qema, i cili u qëllua nga shoku i tij Marius Dema, i cili u vetëdorëzua në polici ashtu si edhe 3 personat e tjerë që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin e krimit.