Vallja e Tropojës është një nga më të vjetrat e Shqipërisë, sepse është po aq e lashtë sa popullsia e kësaj krahine.
Duke u cilësuar si një pasuri e çmuar, vallja e Tropojës është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore jo materiale. Ndërkohë që nga viti 2017-të flitet se kjo valle do të bëhet pjesë e UNESCO-s.
Rruga drejt UNESCO-s
Etnokoreografi tropojan, Skënder Haklaj, i cili ka përgatitur të gjithë dosjen që kërcimi i Tropojës të bëhet pjesë e UNESCO-s ka treguar se puna është penguar disi nga pandemia pandemia. Ai ka shpejguar se shumë punë kanë mbetur pezull për shkak të Covid-19 dhe deri në muajin dhjetor do të punohet për përfundimin e dosjes.
“Është fat i madh që ministria e ka marrë në dorë, dje pata takim me zv/ministren për këtë punë, është akorduar fondi, është caktuar grupi i punës shkencore që duhet të plotësohet dosja përfundimtare, janë bërë shumë filmime. Ka momente që na del ndonjë problem dhe unë lëvizjet i kam të gatshme tashmë dhe grupet i kam shumë të gatshme, dhe ata në Tropojë e duan shumë dhe fati më i madh është që Tropojanët e duan vallen’’, u shpreh Haklaj i ftuar ditën e sotme në emisionin “Rreze Dielli”.
Procesi për në UNESCO zvarritet me vite, institucionet shqiptare nuk japin mbështetjen e duhur
Që nga viti 2017-të është thënë se vallja e Tropojës do të përfshihej në listën e thesareve të mbrojtura nga UNESCO, mirëpo ende dhe sot e kësaj dite kjo gjë nuk është realizuar. Përveç pandemisë që ka ngadalësuar procesin, ka pasur probleme edhe nga Ministria e Kulturës.
Skënder Haklaj ka ngritur shqetësimin prej kohësh se nëse vallja e Tropojës do të ishte në dorën e Tiranës apo ndonjë qyteti tjetër të Shqipërisë, gjithçka mund të ishte bërë më shpejt. Sipas tij ka pasur gjithmonë një lloj diskriminimi ndaj tropojanëve, duke i cilësuar si provincialë, ndaj deri më sot nuk kanë pasur ndihmën e duhur të institucioneve të kulturës për ta bërë vallen pjesë të UNESCO-s.
“Këtë diskriminim e ndjej tek trokitjet që bëj derë më derë. Gjithkund, nuk më janë përgjigjur aq sa duhet. Nuk kishte nevojë Ministria e Kulturës të rrinte dy vjet me dosje në dorë, me gjithë ato filmimet që kemi bërë në Bjeshkë, me gjithë ato shpenzime dhe pritëm dy vjet për ta deklaruar pjesë të listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore. Po nuk e bëre ti vetë si shtet, ç’kuptim ka pastaj ta bëj bota?!”, është shprehur Haklaj disa muaj më parë.
Ai është shprehur se Ministria e Kulturës i ka pasur gati të gjithë materialet për dosjen e UNESCO-s prej kohësh, por plotësimi i formularit të aplikimit nga vetë institucioni është zvarritur. Kjo fazë është ende në përpunim e sipër dhe pritet që dosja e “Valles së Tropojës” për në UNESCO të dorëzohet në mars të 2021-shit./Iconstyle.al/