Qëndrimi politik i socialistëve të Edi Ramës, për të mos votuar rezolutën e deputetëve të Komisionit të Rithemelimit, për dëmimin e gjenocidit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, është duke bërë jehonë dhe në mediat ndërkombëtare.
Ditën e sotme në një opinion të botuar në Al Jazeera, gazetari boshnjak Dragan Bursac, nuk i “kursen” kritikat e forta në drejtim të qeverisë Rama, të cilit i përmend dhe afërsinë me Serbinë në vitet e fundit, nën petkun e Ballkanit të Hapur.
SHKRIMI I PLOTË:
Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar kërkesën e disa deputetëve të opozitës për të diskutuar një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin e Srebrenicës. Sipas raportimeve të mediave, gjithsej 51 deputetë votuan kundër propozimit.
Me këtë vendim të turpshëm, politikanët shqiptarë që janë në pushtet, vendosen në anën e Serbisë kur bëhet fjalë për injorimin e fakteve historike, dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare – që kanë arritur pa dyshim në konkluzionin se në Srebrenicë është kryer gjenocidi.
Ky vendim nuk reflekton qendrimin e popullit shqiptar, por të elitave politike, me në krye Edi Ramën, që refuzoi të fuste në rendin e ditës një rezolutë për gjenocidin. Populli shqiptar në Kosovë, për ata që nuk e dinë, miratoi një rezolutë të tillë, që dënon krimet e luftës.
Padyshim që i gjithë populli shqiptar (si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë) ndjen thellësisht vuajtjet e boshnjakëve dhe hercegovinasve, por përleshjet aktuale politike në Kuvendin e Shqipërisë kanë rezultuar në një përfundim kaq pervers.
Kosova ka refuzuar prej kohësh të marrë pjesë në nismën “Ballkani i Hapur”, sepse beson se qëllimi është hegjemonia e re e Serbisë në rajon. Edi Rama është paralajmëruar prej kohësh nga zyrtarët e Kosovës se Shqipëria ka njohur Kosovën dhe Malin e Zi si shtete të pavarura dhe se nuk ka kufij mes Shqipërisë dhe Serbisë që ai dhe Aleksandar Vuçiç duan t’i shfuqizojnë.
E gjithë kjo flet se sa mund të devijojë lidershipi i një vendi – në rastin konkret të Shqipërisë – për hir të disa qëllimeve dhe interesave të tjera.
Dhe cili është, në fakt, “qëllimi më i lartë” që, siç e shohim, bashkoi nacionalizmin serb dhe disa politikanë shqiptarë në pushtet? Ky synim quhet “Ballkani i hapur” dhe i është vënë para publikut vendas që të interesohet për një bashkim thuajse-ekonomik të vendeve të rajonit, duke menduar për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me tendencë për t’u anëtarësuar në BE në një ë ardhme të afërt.
Duke refuzuar që të vendosë në rend dite projekt-rezolutën për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, Kuvendi i Shqipërisë drejtpërdrejt, dhe Edi Rama në mënyrë të tërthortë, treguan dhe dëshmuan në mënyrë eksplicite se është i vendosur për të qëndruar me Aleksandar Vuçiçin dhe projektin e “Ballkanit të Hapur”. E përsëris, një lloj tjetër supremacizmi serb, në të cilin udhëheqja shqiptare sillet si idiotë të dobishëm të Beogradit. Sipas atij projekti, në të cilin shumë duan të përfshijnë Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi, do të ekzistonte vërtet një “Serbi e Madhe” dhe një “Shqipëri e televizionit”, dhe të gjithë të tjerët do të ishin në një pozitë të varur, të skllavëruar.
“Ballkani i hapur” si zhvillim i nacionalizmit serb
E përsëris, projekti “Ballkani i Hapur” nuk është rruga e vendeve të Ballkanit drejt Bashkimit Evropian, por rruga e zhvillimit të nacionalizmit serb, i cili do t’i mbante kombet e tjera në pozitë të nënshtruar.
Disa kritikuan “Ballkanin e Hapur” si BE për ata me “bileta më të varfër”, por duket se kategoria ekonomike dhe e ashtuquajtura lëvizje e papenguar e mallrave dhe njerëzve përtej kufirit ishte vetëm një joshje për nacionalizmin serb për të përcaktuar zonat e tij të interesit, i ndihmuar nga politikani Edi Rama.
Mosnjohja e mundshme e gjenocidit të Srebrenicës nga Kuvendi i Shqipërisë është vetëm një tregues se si duhet trajtuar Bosnje-Hercegovina dhe çështjet e saj më urgjente, siç është ajo për gjenocidin. Dhe, le të jemi të qartë, ky refuzim për të mos diskutuar rezolutën e gjenocidit erdhi në koordinim me Beogradin dhe partitë në pushtet në Tiranë vetëm e ratifikuan atë. Tani është koha që Serbia t’i japë Shqipërisë diçka si shpërblim.
Edi Rama u mbrojt me një deklaratë memece, në të cilën thotë se nuk ishte një rezolutë, por një lojë e poshtër dhe shtoi se Kuvendi i Shqipërisë nuk e votoi kundër rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Dhe Rama ka të drejtë, nuk ka pasur rezolutë, sepse propozimi për të votuar rezolutën nuk është miratuar fare. Çfarë është më e keqe se refuzimi i vetë rezolutës. Në përgjithësi, një shpjegim krejtësisht i panevojshëm dhe jo bindës për diçka që është një skandal i vërtetë në Ballkan, por jo vetëm në Ballkan.
Këtë e ka kujtuar edhe deputeti i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, Tritan Shehu, i cili tha se ishte një ditë e hidhur dhe e shëmtuar në punën e Kuvendit të Shqipërisë. “Ne jemi i vetmi parlament që nuk kemi një dokument formal që dënon gjenocidin. Kjo është një ditë që lë gjurmë të rënda në botën demokratike”.