U lirua nga Gjykata për vrasjen e ish-efektivit, si ja doli Gjergj Cukali t’i shpëtonte disa herë drejtësisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjykata e Apelit la të lirë ditën e djeshme, Gjergj Cukalin, të akuzuarin kryesor për vrasjen e ish-efektivit të polcisë, Arben Bilali.

Cukali është një personazh shumë i njohur për drejtësinë, pasi është arrestuar edhe më parë, por është lënë i lirë për arsye të paqarta.

Më 24 nëntor të 2006-ës, Cukali u dënua nën akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004.

Në korrik të 2016-ës, “i forti i Myslym Shyrit” arrestohet në kuadër të operacionit “Tangent”, ku Cukali ishte kreu i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Asokohe u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin, shpërndanin kokainë në disa zona të Tiranës si sheshi “Wilson”, “Myslym Shyri”, “Ali Demi”, “Porcelani” dhe “Rruga e Elbasanit”.

Hetimet zbuluan se shpërndarësve drogën ua siguronte Gjergj Cukali.

Menjëherë pas arrestimit në 2016-ën, u zbulua se Cukali mbante dokumenta të falsifikuara me identitetin, Ergi Hoxha, të cilat iu sekuestruan nga policia.

Më 24 maj të 2017-ës, bazuar në një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Cukali vendoset në “Arrest shtëpie”, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë, thuhet se “i forti i Myslym Shyrit” vuan nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

Në këtë mënyrë u hodhën poshtë dy masat e mëparshme të “Arrestit me burg”, të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit të Tiranës.

Mirëpo Cukali nuk mund të qëndrojë larg telasheve, pasi në 2018-ën ai arrestohet sërish për thyerje të “Arrestit shtëpiak”, pasi u kap në flagrancë larg banesës së tij.

Vepra e fundit penale për të cilën akuzohet Cukali është ajo e 30 janarit të 2019-ës, ku u ekzekutua ish-efektivi, Arben Bilali.

Në lidhje me këtë ngjarje, hetuesit kishin prova të forta për përfshirjen e Cukalit, por edhe kësaj here “i forti i Myslym Shyrit” arrin t’i shpëtojë drejtësisë.

Vendimi u dha nga një treshja e gjyqtarëve, Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gert Shala.

Po të njëjtët gjyqtarë brenda 24 orëve liruan edhe Olsi Qalliajn, një prej të arrestuarve për vrasjen e Jurgen Kurtit, duke sfiduar ashpër drejtësinë.

Shpërndaje
Share.

Komento