Lundrimi në ujërat territoriale shqiptare nga mjete turistike me flamuj të huaj që kalojnë tranzit, apo edhe zgjedhin të qëndrojnë më gjatë, është rritur me shpejtësi gjatë këtij viti. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Pavlin Ndreu, thotë se interesi ka ardhur si efekt i rritjes së vëmendjes ndaj Shqipërisë si një destinacion turistik. Edhe industria detare e lidhur me turizmin në vend po sheh rritje të numrit të mjeteve të posaçme për këtë sektor.
Në 6-mujorin e parë të 2023 janë regjistruar 163 mjete turistike, ku bëjnë pjesë nga motorët e detit deri te mjetet deri në 15 metra gjatësi lineare. Ndërkohë heqja e TVSH-së për jahtet që regjistrohen në flamurin shqiptar ka nxitur që të regjistrohen të paktën 52 mjete turistike të mesme, ndërkohë që një pjesë janë ende në proces.
Kufizues në këtë aspekt, sipas Ndreut, është mungesa e porteve të jahteve, diçka që pritet të marrë zgjidhje me ndërtimin e disa projekteve që janë në faza të ndryshme zbatimi. Rritja e volumit të mjeteve që lundrojnë në ujërat shqiptare ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme Detare të përshtasë punën e saj në lidhje me monitorimin por edhe masa shtesë në funksion të rritjes së sigurisë.
Sezoni turistik është më i ngjeshur në aktivitet edhe për Drejtorinë e Përgjithshme Detare. Cilat janë disa nga masat që keni marrë këtë vit duke pasur parasysh rritjen e fluksit të mjeteve detare që qarkullojnë në ujërat tona territoriale?
Drejtoria e Përgjithshme Detare është autoriteti që bën monitorimin e zbatimit të ligjshmërisë detare në det dhe në ujërat e liqeneve. Çdo vit, ne marrim masa dhe i përmirësojmë ato në funksion të ndërgjegjësimit, por edhe monitorimit të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në det dhe liqene. Punojmë gjatë gjithë vitit, që të përmirësojmë aktet ligjore dhe nënligjore, japim direktivat dhe orientimet dhe kërkojmë zbatimin e tyre. Në det dhe liqene ka një shtim shumë të madh të numrit të mjeteve lundruese, por edhe të numrit të shtetasve të huaj dhe vendasve që i frekuentojnë këto, ose që lëvizin me këto mjete lundruese.
Duke qenë se Shqipëria është kthyer një destinacion turistik, rritja e mjeteve lundruese është shumë e shpejtë, ndaj masat duhen përmirësuar dhe ndryshuar çdo vit. Me sektorin e kontrollit të flamurit dhe kapitaneritë e porteve, që gjatë muajve prill-maj organizojmë inspektimet e mjeteve turistike për rritjen e standardeve dhe sigurinë lundrimore dhe sigurinë e jetës të personave që lëvizin me këtë mjete.
Vit pas viti, mjetet ujore të regjistruara në vend kanë shënuar rritje. Mbajtja e një regjistri monitorimi elektronik i bën shifrat edhe më të qarta. Sa mjete janë të regjistruara në vitin 2022 dhe sa deri në 6-mujorin e parë të vitit 2023 sipas të dhënave tuaja (në metra dhe në kategoritë p.sh., motor uji, mjete kënaqësie, mjete lundrimi për peshkim)?
Si në çdo fushë të ekonomisë sonë, edhe në atë të detarisë ka ndryshime dhe rritje çdo vit të mjeteve lundruese për argëtim dhe për industrinë e peshkimit. Kështu deri më 31 dhjetor 2022 kemi 3377 mjete turistike të vogla dhe të mesme dhe në 6-mujorin e parë të 2023 janë regjistruar 163 mjete turistike, ku bëjnë pjesë nga motorët e detit deri te mjetet deri në 15 metra gjatësi lineare.
Nga ky numër total, 847 janë motorë uji dhe në 6-mujorin e 2023 janë regjistruar edhe 106 motorë uji të tjerë, duke e çuar numrin në 953, një shifër e konsiderueshme dhe në rritje çdo ditë. Po kështu janë rreth 168 anije peshkimi funksionale që kryejnë aktivitet peshkimi në ujërat tona nga 530 të regjistruara. Duhet të theksojmë se dy vitet e fundit janë rritur ndjeshëm edhe kantieret e prodhimit të mjeteve të vogla dhe të mesme si varka druri, gomone të cilat janë sipas standardeve të BE-së.
Kemi edhe kantiere për prodhimin e anijeve të peshkimit dhe janë 3 kantiere të licencuara dhe të miratuara të cilat kanë prodhuar anije peshkimi, të cilat po rrisin sasinë dhe cilësinë e flotës së peshkimit. Janë 6 kantiere për prodhim mjetesh turistike të vogla dhe të mesme dhe kërkesat janë në rritje për kantiere prodhimi të mjeteve të drurit, rezinës dhe gomoneve apo atyre me vela. Kjo tregon rilindjen e prodhimit të mjeteve turistike në vend me kosto më të ulet dhe me cilësi e standarde të BE-së.
Që në fund të vitit të shkuar pati një nismë nga Ministria e Turizmit që subjektet të cilat operonin në turizmin detar të bënin propozimet e tyre për pikat e ndalimit të mjeteve detare. A keni bashkëpunuar në këtë aspekt dhe sa pontile ka në vijën tonë bregdetare dhe cilat janë kërkesat e sigurisë për to?
Me ligjin 127 “Për Turizmin Detar” janë përcaktuar qartë rregullat për vendbazimet e mjeteve të vogla dhe të mesme turistike. Po ashtu ka edhe VKM që përcakton mënyrën e miratimit të këtyre vendbazimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare është pjesë e përcaktimeve teknike pas kërkesave që vijnë nga subjektet dhe që u drejtohen bashkive.
Ne pasi marrim kërkesën e subjektit nga bashki nëpërmjet kapitanerive të porteve japim mendimet teknike dhe mënyrën si duhet të operohet në këto vandbazime si dhe mënyrën e hyrjes dhe daljen se këtyre mjeteve në vendbazime dhe rregullat. Ministria e Turizmit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit bën kontrollet dhe inspektimet për këto vendbazime duke vendosur gjoba për shkelje të rregullave dhe sanksione deri në heqjen e licencës kur këto subjekte nuk zbatojnë këto rregulla.
Duhet thënë se disa bashki nuk kërkojnë mendimin e kapitanerisë për vendbazimet, duke i dhënë pa njoftuar dhe pa dhënë mendimin teknik. Kjo si rasti Bashkisë së Vlorës, që për sezonin 2023 nuk ka paraqitur asnjë kërkesë të subjekteve por i ka miratuar vetë, duke shkelur VKM dhe ligjin 127.
Sa persona ka sot me dëshmi për drejtimin e mjeteve të vogla lundruese në vend dhe si është interesi për to?
Ashtu siç ka kërkesa për regjistrim të mjeteve lundruese turistike ka shumë kërkesa për leje drejtimi të këtyre mjeteve. Në Drejtorinë e Përgjithshme Detare kemi dy komisione të përhershme, të cilët marrin në testim personat që kryejnë kurset e trajnimit pranë qendrave të miratuara në shkallë vendi.
Sot janë 12 qendra trajnimi të cilat përgatisin dhe trajnojnë persona që duhen të pajisen me leje drejtimi të mjeteve lundruese. Risi është se ky është viti i dytë që ne kemi bërë ndryshimin e rregullores së lejeve të drejtimit duke i klasifikuar në katër klasa A, B, C, D ku A e B janë për motorë deti dhe mjete të vogla turistike, ndërsa C e D janë për mjete skafe mbi 15 m, jahte dhe anije peshkimi.
Kjo ka sjellë qartësim dhe saktësim të lejeve të drejtimi, duke përcaktuar qartë se cilin mjet mund të drejtojë një person i pajisur me lejen e drejtimit dhe duke e bërë më të lehtë edhe kontrollin dhe inspektimin nga policia e kufirit dhe AKB, Agjencia Kombëtare e Bregdetit në vendbazime.
Sot janë 9015 leje drejtimi të mjeteve lundruese të miratuara nga komisioni dhe kërkesa është e lartë, sidomos në fillim të sezonit dhe gjatë muajve të verës, duke na krijuar mbingarkesë në personel dhe kemi shtuar nga një në dy herë në javë ditët e marrjes në testim.
Vihet re një rritje e theksuar edhe për leje drejtimi të kategorisë C e D duke treguar se ka shtim edhe të kërkesave për mjete lundruese mbi 15 metra e lart si skafe, jahte dhe anije peshkimi.
Si ka qenë këtë vit hyrja e mjeteve me flamuj të huaj në territorin shqiptar dhe cilët janë flamujt kryesorë ku janë të regjistruar këto mjete?
Mjete turistike me flamur të huaj kanë ardhur duke u shtuar, megjithëse pati një ulje për shkak të vendosjes së akcizës për karburantet. Këtë vit po rikthehen jahtet dhe mjetet lundruese që duan të vizitojnë vendin tonë.
Uebsajtet botërore të turizmit, gazetat e mëdha europiane dhe botërore që reklamojnë Shqipërinë dhe vendet turistike të saj, kanë dhënë ndikim të dukshëm edhe te mjetet lundruese që kanë pasur më shumë interes për të vizituar ujërat tona detare.
Janë një sërë jahtesh me emra botërorë, kryesisht nga vendet e BE, por edhe më gjerë, që i shohim herë pas here të shfaqen në brigjet tona. Mesdheu është një nga pikat më të vizituara me mjetet lundruese me flamujt e së gjithë botës dhe figura të mëdha të politikes, shoëbizit dhe biznesit që herë pas here janë edhe në ujërat detare tona.
Saranda dhe Vlora vizitohen çdo ditë nga jahte dhe mjete turistike. Këtë e tregon edhe harta ku jahtet dhe mjetet turistike janë me ngjyrë lejla dhe tregon qartë se bregdeti ynë është i vizitueshëm dhe i lakmuar.
Po për flamurin shqiptar a ka rritje të regjistrimeve, duke qenë se pati një nismë për heqjen e TVSH-së dhe sa mjete janë nën flamurin tonë?
Po është e vërtetë se politika e qeverisë shqiptare për heqjen e TVSH ka dhënë ndikim dhe kërkesa për regjistrim të mjeteve me flamur shqiptar është e madhe. Kemi mbi 52 mjete turistike të mesme që janë riregjistruar dhe shumë të tjerë në pritje për regjistrim. Ka një problem që po zgjidhet shpejt dhe është pjesa e porteve të jahteve, të cilat janë në proces dhe do t’i japin një shtytje shumë të madhe regjistrimit të mjeteve lundruese me flamur shqiptar.
Duhet theksuar se ndërtimi i portit të jahteve në Durrës, Vlorë e Sarandë do ta afrojnë Shqipërinë me standardet më të mira të BE dhe atyre botërore, pasi do të krijojnë industrinë turistike detare. Kjo është një periudhë tranzitore, por politikat e qeverisë për detin po i jep frytet e saj, duke e rritur në maksimum interesin dhe kërkesën për regjistrim të mjeteve lundruese me flamur shqiptar.
Cilat janë zonat me fluksin më të madh të lundrimit, duke pasur parasysh pjesën turistike që përfaqësojnë ato si destinacione përfshi këtu jo vetëm bregdetin, por edhe Komanin?
Dihet që Saranda dhe Vlora janë zonat me fluksin më të madh turistik të mjeteve lundruese dhe po t’i referohesh edhe hartës bashkangjitur vihet re me lehtësi popullimi në këto rajone detare me mjete turistike.
Por një rritje eksponenciale kanë liqenet e Veriut si Komani dhe Vau i Dejës, të cilat kanë një fluks jashtëzakonisht të madh të mjeteve turistike. Vetëm vitin e kaluar, në liqenin e Komanit kanë kaluar mbi 90 mijë turistë që kanë vizituar lumin e Shalës dhe destinacionet e tjera turistike. Pritet që këtë vit, rritja të jetë mbi 35% më shumë se vitin e kaluar dhe numri i mjeteve turistike është mbi 100 vetëm në Koman.
Të paktën 3 janë tragete pasagjerësh dhe makina dhe 5 mjete të mesme për transport pasagjerësh nga Komani në Fierzë dhe anasjelltas. Problem i madh në këtë pjesë është informaliteti, pasi duhet një kontroll i fortë për sigurinë për që ofrojnë këto mjete./Monitor