Qeveria serbe ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për furnizimin e ushtrisë së tyre dhe forcave ajrore me dronë vrasës , “Bayraktar TB2”.
Versioni i fundit i këtyre dronëve është i pajisur me raketa ajër-tokë dhe janë tepër të rrezikshëm ndaj kundërshtarit.
Mësohet se efikasiteti i tyre është jashtëzakonisht preciz dhe përdorimi i tyre ka treguar se nuk i kanë dhënë asnjë shans objektivit.
Turqia i ka provuar këto drone në konfliktin në rajonin e Nagorni Karabagut në luftën që po zhvillohet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për këtë rajon të kontestuar midis dy palëve.
Ankaraja pas furnizimit të Azerbajxhanit me këto drone, këto të fundit u përdorën gjerësisht ndaj Armenisë në mënyrë të frikshme duke shkaktuar shumë dëme.
Në një konferencë për shtyp, presidenti serb tha se Serbia nuk ka plan të sulmojë askënd, por duhet të jenë të përgatitur për çdo surprizë.
Teknologjia e dronëve
Pavarësisht problemeve të mëdha ekonomike dhe politike, investimet e viteve të fundit e kanë kthyer Turqinë në një fuqi të rendësishme të luftës ajrore në Europë dhe më gjerë.
Dronët turq TB2 të njohur edhe si “Bayraktar” janë duke goditur objektiva kundërshtare në rajone të ndryshme të botës. Në Siri, dronët turq janë duke qëlluar mbi kurdët e PYD, të cilët kontrollojnë veri-lindjen e vendit, ndërsa në Libi forcat e qeverisë islamiste filluan të “marrin frymë” kundrejt ushtrisë së gjeneralit Haftarit pasi në lojë u futën dronët turq, të cilët janë konsideruar edhe si “game changer” kudo ku janë përdorur.
“TB2” janë fjala e fundit e teknologjisë së dronëve në Turqi. Ky është versioni i dronëve të armatosur, të cilët mund të qendrojnë në ajër për orë të tëra duke lëshuar raketa vdekjeprurëse ndaj objektivit.
Më herët, ishin amerikanët ata që i përdorën gjerësisht dronët vrasës për të eliminuar personazhe të njohur të terrorizmit, ndërsa Turqia është e dyta që shënon një përdorim kaq të gjerë.
Të dhëna teknike
Droni TB2 është projektuar dhe prodhuar nga kompania turke Bayraktar. Zhvillimi i dronit filloi në vitin 2007, dhe dy vjet më vonë ai bëri fluturimin e parë. Në 2014, zhvilluesit i treguan ushtrisë turke versionin e tyre përfundimtar dhe në mars 2016 “TB2” u miratua zyrtarisht nga ushtria turke.
“TB2” mund të ngjitet në një lartësi prej më shumë se 7 300 metra dhe të qëndrojë në ajër deri në 24 orë.
Droni mund të kontrollohet nga qendra e kontrollit në një largësi deri në 150 kilometra. Ka një shpejtësi maksimale prej 250 kilometrash në orë dhe shpejtësi mesatare operimi 130 kilometra në orë.
Ka një gjatësi prej 6.5 metra dhe gjerësi të krahëve 12 metra. Pesha maksimale e tij është 650 kilogram dhe mund të mbajë një ngarkesë prej 55 kilogramësh. Droni gjithashtu mund të mbajë deri në 4 raketa të drejtuara me lazer.
Burimi: Abcnews.al Përshtati: GazetaReforma.com