Turizmi shqiptar nuk zhvillohet sepse është i sabotuar nga brenda! Në të gjitha skajet e Shqipërisë janë vetë banorët e zonave të ndryshme që po i përkushtohen me mish e shpirt zhvillimit të turizmit, si e ardhmja e ekonomisë dhe jetës së tyre, por janë qeveritë ato që po e frenojnë këtë zhvillim.
Ndryshe nga sa premtojnë, qeveritë njëra pas tjetrës vetëm kanë mashtruar (në rastin më të mirë) për mbështetje dhe investime, ose kanë sabotuar me ose pa dashje nismat e investitorëve vendas.
Nuk dihet nëse pengimi për zhvillimin e turizmit shqiptar është një aksident, mospasje eksperience nga ana e qeverive, apo një strategji e mirëorganizuar sabotazhi e sponsorizuar edhe nga vende fqinje.
Por ajo që shihet është fakti se në disa zona qeveria pengon me mënyra të ndryshme zhvillimin e turizmit, ndërsa disa të tjera i shkatërron për të instaluar aty oligarkët pranë saj që betonizojnë dhe shkatërrojnë gjithçka.
“GazetaReforma.com” në shumë shkrime dhe investigime e ka ngritur dhe vazhdon ta ngrejë këtë shqetësim, që po vihet gjithmonë e më shumë në dukje.
Rasti më i fundit është edhe ai i banorëve të Thethit, në zonën e Alpeve shqiptare. Të nxitur edhe nga një kronikë e fundit e pasqyruar në “Top Channel”, mbi problemet e pronësisë në këtë zonë, “Gazeta Reforma” risjell edhe një herë me detaje këtë problematikë të trajtuar edhe më parë nga ne.
Pikërisht në një vend ku banorët e tij po përpiqen “me mish e me shpirt” që ta mbajnë në këmbë turizmin malor dhe mos ta braktisin atë vend, njerëz të veshur me pushtet dhe titullarë të lartë të qeverisë si ministri i Turizmit, Blendi Klosi dhe kreu i Kadastrës, Artan Lame, janë dy prej individëve që me urdhër ose jo po mbajnë peng zhvillimin e zonës.
I pari, ministri Klosi, nuk çon aty investimet e premtuara dhe parashikuara nga donatorët, për zhvillimin e zonave malore, ndërsa i dyti, kreu i Kadastrës, Lame, mban peng pronësinë e banorëve të zonës.
Problemet e pronësisë në Theth
Banorët e Thethit kanë riparuar godinat, kanë shtuar kapacitetet pritëse, kanë hapur rrugë dhe kanalizime, të gjitha me një qëllim, zhvillimin e turizmit dhe zonës. Por të gjithë pronarët në këto vite janë proceduar penalisht dhe janë mbushur me gjoba nga qeveria për ndërtime që i kanë bërë në pronat e tyre.
Ky vend është një nga resurset turistike më të rëndësishme në Shqipëri, duke pritur çdo vit mijëra turist, por në këto 30 vite në Theth, asnjë banor nuk posedon certifikatën e pronësisë për tokat që i trashëgojnë brez pas brezi, raporton “TCH”.
Të detyruar për t’i hapur dyert turisteve të shumtë, ata kanë riparuar godinat dhe kanë shtuar kapacitetet mikpritëse, por janë proceduar penalisht dhe janë gjobitur.
Ras tipik është ai i familjes Berisha nga Thethi, ku pas disa kërkesave drejtuar pushtetit vendor dhe atij qendror, për të ndërtuar një argjinature për lumin e fshatit, në mungese të një përgjigjeje, familjarët sponsorizuan dhe ndërtuan vetë një të tille për të shpëtuar bujtinat që rrezikoheshin nga lumi.
Por edhe pse investuan jo pak para për zonën, ata u gjobiten dhe u proceduan penalisht, madje për ndjekje penale nga familja e tyre ka shkuar edhe nëna 80 vjeçare, e cila u dënua me 8 muaj me masën “arrest shtëpie”.
Nëse banoret e kësaj zonë nuk do të investonin, atëherë turizmi në këtë park kombëtar nuk do të ishte i zhvilluar dhe nuk do të kishte kapacitete për të mirëpritur mijëra turistë për çdo sezon turistik. Prandaj Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Kadastrës, duhet që sa me parë të gjejnë një zgjidhje.
Video:
Tallja e ministrisë së Turizmit me operatorët malorë
Vetëm pasi sezoni turistik kaloi dhe dëmet nga pandemia ishin të pallogaritshme, Ministria e Turizmit, u kujtua të çeli disa fonde qesharake për stimulimin e operatorëve të vegjël turistik, veçanërisht të atyre në zonat malore.
Shuma financiare e akorduar nga dikasteri që drejtohet nga Blendi Klosi ishte vetëm 30 milionë lekë. Ky fond simbolik akorduar nga Ministria e Turizmit, kishte për qëllim të mbështeste produktet e tyre në mbarë vendin, në kuadër të zbutjes së efekteve që ka krijuar pandemia Covid-19.
Sipas thirrjes së shpallur në Qendrën e Botimeve Zyrtare nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, aplikimet ishin të hapura deri me 10 tetor 2020.
“Qëllimi kryesor i mbështetjes financiare është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, nisur edhe nga situata në të cilën ndodhet industria e turizmit, për shkak të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19”,- thuhej në sqarimin që jepej për këtë skemë nga ana e Ministrisë së Turizmit.
Për realizimin e projekteve të ndryshme turistike, skema e financimit mbulonte deri në 50% të kostove të pranuara e të miratuara, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Por shumë operatorë turistik që këtë verë u detyruan të mbajnë mbyllur aktivitet e tyre, sidomos në zonat malore, për shkak të mungesës së rezervimeve dhe klientëve, e konsiderojnë këtë nismë si tepër të vonuar dhe madje qesharake.
Ata ngrenë edhe shqetësimin e burokracive të shumta nga ana e Ministrisë së Turizmit, për të përfituar në rast aplikimi nga këto grande, të cilat në rast përfitimi janë një shumë simbolike.
Asnjë transparencë as me fondet e BE-së për turizmin
Milionat e eurove në investime dhe tenderë për turizmin dhe infrastrukturën kanë vijuar edhe gjatë pandemisë dhe karantinës, por ata që nuk përfituar thuajse asnjë qindarkë ishin pikërisht operatorët turistik, zonat turistike dhe të punësuarit e këtij sektori që humbën punët.
Qeveria dhe vet Ministria e Turizmit deklaruan pak kohe me pare se po investohen rreth 120 milionë eurove të tjera për të “rehabilituar” infrastrukturë në pesë prej pikave turistike në vend.
“GazetaReforma.com” ka mësuar se, ky investim me paratë e financuara kryesisht nga fondet e BE-së dhe BERZH-it, kishte përparësi rrugët, përmirësimin e plazheve dhe rikualifikimin urban apo përmirësimin e aksesit në shërbime në këto zona.
Paratë do të administrohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe sipas premtimit të qeverisë, do të jenë të paktën pesë projekte konkrete për ndërhyrje, që përfshijnë zonën e Përmetit, Plazhin e Divjakës, “Syrin e Kaltër” në Bistricë, si dhe disa zona në Alpe.
Një tjetër premtim i bujshëm i ministrit të Turizmit, Blendi Klosi ishte edhe ai bërë në shkurt të këtij viti, që premtoi investimin e një super fondi prej 105 milionë eurosh për disa qytete turistike.
Investimin e rreth 105 milionë eurove këtë vit, do të prekte zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë në katër qytete: Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.
Kjo e fundit, pra Shkodra, përfshin në brendësi të saj disa prej zonave më atraktive të turizmit malor, siç janë ato të Alpeve dhe Thethi, që më sipër përmendem se nuk ka përfituar asnjë investim nga shteti, por edhe privatët nuk po lejohet të ndërhyjnë për të rregulluar infrastrukturën.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, premtoi në shkurt nga Durrësi se, “ky program përfshin financim nga BERZH, BE por edhe fonde nga buxheti i shtetit, dhe synon përmirësimin e infrastrukturës e tyre, duke çuar përpara turizmin dhe ekonomitë përkatëse”.
Ajo që deri tani përbën një fakt real është se Thethi me gjithë premtimet e qeverisë nuk ka marrë asnjë investim, nuk ka ende një rrugë të asfaltuar për të shkuar deri atje, ka shumë probleme infrastrukturore, si dhe atë më të rëndësishmin, ka mungesë të dokumenteve të pronësisë.
Për këto të fundit nuk dihet ende nëse kjo është një neglizhencë ose mosdashje nga ana e Kadastrës dhe kreut të saj Artan Lame, apo një zvarritje e qëllimshme nga ky i fundit, me porosi të politikanëve, biznesmenëve apo oligarkëve të caktuar, që duan të shtrijnë duart edhe drejt Thethit dhe Alpeve ashtu si në bregdetin e Jugut, ku kanë bërë masakër me pronat private.
/Burimi: TCh/ GazetaReforma.com/