Familjarët e Isa Rexhepajt, 65-vjeçarit që u gjet i vdekur pesë ditë pas humbjes së kontakteve me të afërmit, kërkojnë me ngulm dorëzimin e trupit për t’i kryer ceremoninë mortore.
Trupi i tij u gjet mëngjesin e së premtes brenda një kolibeje nga vëllai i viktimës, i cili njoftoi menjëherë policinë.
Që prej asaj dite, kufoma ndodhet në morgun e spitalit të Sarandës, ndërsa ende nuk është transferuar për ekspertizë të mëtejshme në Tiranë, siç është kërkuar nga autoritetet.
Sipas familjarëve, vonesa po sjell pasoja të rënda: trupi ka nisur të dekompozohet, duke krijuar shqetësime të mëdha për gjendjen fizike të të ndjerit. Ata ankohen se institucionet po ia kalojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë, pa dhënë zgjidhje përfundimtare.
“Vajta e mora, kishte katër ditë i vdekur. Lajmërova policinë, erdhi ambulanca dhe e çuan në morg vëllanë. Prokuroria thotë do ta çojmë në Tiranë, por ai nuk mund të çohet se i ka rënë mishi, është nxirë, vjen era kërmë. Jam këtu para morgut, nuk më japin trupin e vëllait. Prokuroria thotë e ka Policia, Policia thotë e ka spitali, spitali thotë e ka Policia. Nuk di çfarë të bëj, unë dua të varros vëllain, t’i bëj adetet e fundit”, është shprehur vëllai i viktimës për News24.