Skip to content
Bota

Trump jep mesazhin e parë nga ballkoni që nga infektimi me Covid, flet para qindra njerëzve

· 2 min lexim

Ditën e shtunë, Donald Trump mbajti aktivitetin e parë me të ftuar, që kur rezultoi pozitiv me koronavirus.

Presidenti amerikan foli nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë, teksa ishin pjesë qindra njerëz, që qëndronin në lëndinën poshtë ballkonit.

Presidenti fillimisht kishte në fytyrë një maskë, por e hoqi para se të fliste. Ai u prit me entuziazëm nga mbështetësit e tij.

Dalja e tij shihet si një hap i parë drejt rifillimit të fushatës së plotë javën e ardhshme.​

Pjesëmarrësit mbanin maska dhe kishin veshur uniforma blu​ si dhe kapele të kuqe me mbishkrimin “Make America Great Again” (“Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”).

Presidenti Trump, i cili ka bërë fushatë me temën për rendin dhe ligjin në disa muajt e fundit, kur ka patur disa herë protesta të dhunshme për drejtësi racore, u tha pjesëmarrësve të shtunën se Partia Republikane ka mbështetjen e forcave policore të Amerikës.

Ende ka pikëpyetje nëse Presidenti Trump, i cili njoftoi më 2 tetor se kishte virusin dhe kaloi tre net në një spital ushtarak, mund ta transmetojë virusin. Ai i tha televizionit Fox Neës se kishte të ngjarë të testohej të premten.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë Sean Conley tha në një njoftim të enjten se, “bazuar në trajektoren e një diagnostikimi të specializuar që ka kryer ekipi”, ai “parashikon plotësisht kthimin e sigurt të Presidentit në angazhimet publike” që nga e shtuna.

Ndërkaq, rivali i tij demokrat Joe Biden testoi negativ për COVID-19 të shtunën para një udhëtimi fushate në Pensilvani, thanë ndihmësit e tij në një deklaratë.

Ndihmësit e Presidentit Trump thanë të premten se ai do të flasë në një aktivitet fushate në Florida të hënën, i pari jashtë Uashingtonit, që kur u diagnostikua me koronavirus javën e kaluar. Presidenti e konfirmoi këtë në Tëitter.

/GazetaReforma.com/