Një tjetër plagosje me armë zjarri ka tronditur vendin gjatë mbrëmjes së sotme, pas një serie vrasjesh që nuk janë ndalur në 24 orët e fundit.
Policia njofton se një 33-vjeçar është vetëplagosur me armë zjarri në fundshpinë. Ai ka shkuar në Spitalin e Korçës për të kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Më datë 11.05.2021, rreth orës 22:40, në Spitalin e Korçës, ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi M. R., rreth 33 vjeç, banues në Korçë, që në rrethana ende të paqarta, dyshohet të jetë dëmtuar në fundshpinë, si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shtetasi M. R., mund të jetë vetëplagosur.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kujtojmë që ditën e sotme një tjetër vrasje ndodhi në vend. Në Elbasan u ekzekutua me breshëri plumbash Everest Çaka, ndërsa mbeti e plagosur bashkëshortja e tij, Silvana Çaka. Viktima njihej me dy emra Everest (Ibrahim) Çaka, ndërsa akuzohej për vrasjen e Gëzim Alikajt në vitin 2010. Ai gjithahstu dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge.