Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në qytetin e Vlorës një sasi eksplozivi ka shpërthyer në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili bën me dije se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu, kryeprokurori kërkon angazhim maksimal nga të gjithë organet ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Sipas tij, ky veprim synon pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike.
Reagimi i Olsian Ҫelës
“Në orët e para të mëngjesit të datës 21.12.2019, në qytetin e Vlorës një sasi eksplozivi është hedhur dhe ka shpërthyer në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi, i cili e ushtron këtë detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme janë duke u kryer hetime nga kjo prokurori dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.
Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”.
Vendosja e tritolit në makinën e prokurorit Kuliçi shënon rastin i dytë brenda një muaji e gjysmë që sulmohet një prokuror, pas rastit të atentatit ndaj Arjan Ndojit në Durrës.
Albert Kuliçi ka patur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, koncesionin e parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh, hetimin e një afere në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.