Një efektiv policie ka rënë pre e një shpërthimi me tritol, që ishte vendosur në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të premtes rreth orës 03.50 në lagjen Dobraç. Efektivi është identifikuar si Pëllumb Shpati, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe janë dëmtuar disa automjete të parkuara në oborrin e banesës.
Gjergj Shpati, babai i Pëllumbit dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës të djalit të tij.
Për gazetarët ai u shpreh se ka dëme materiale, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të hetojnë ngjarjen.
“Rreth orës katër kam qenë në gjumë, kam dëgjuar krismë dhe kam dalë e kam parë çdo gjë të shkatërruar. Kemi qenë tre familje në shtëpi. Ishte shpërthim i fuqishëm. Janë prishur dritare, dyer e makina. Nuk dimë gjë se kush e ka bërë këtë. Mendoj se ka ndodhur për shkak të detyrës se nuk kemi ngatërresë me njeri. As s’i kam borxh njeriu dhe as s’më ka kush. Shteti të hetojë, të bëjë punë vet.”- tha ai.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.