Ligje klienteliste dhe mallra serbe pa standard, si u favorizua ‘Devolli’ nga Rama
Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij, duke shfrytëzuar ‘timonin’ për të ngrënë tepsinë me miqtë e tyre, kanë përdorur forcën e kartonit për të favorizuar kompaninë kosovaro-serbe, ‘Devolli Group’, në pronësi të 2 vëllezërve Blerim dhe Shkëlqim Devolli.
Prej 1 janarit 2023 akciza për birrën shqiptare u dyfishua, duke u trajtuar tashmë njësoj me birrat e importit. Ndonëse pati shumë kundërshti si një ligj i pastër klientelist, Rama përdori forcën e kartonit për tëmiratuar ndryshimin në ligj, duke preferuar të favorizojë miqtë e tij nga Kosova me kompaninë ‘Devolli Group’. Kjo e fundit ka në pronësi birrën Peja dhe ky ligj u projektua, për të ndihmuar këtë produkt që të ‘sundojë’ tregun shqiptar, pasi me miratimin e ndryshimeve në ligj, paguan tënjejtën akcizë me produktet që prodhohen në Shqipëri, të cilat deri në ato momente ishin më të favorizuara, si një politikë për të mbështetur prodhimin vendas.
Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase zhvilloi një seancë publike në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kërkon shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për akcizën e birrës. Rritja e akcizës ka sjellë humbje për prodhuesit vendas të birrës, ku disa kompani kanë falimentuar ose janë drejt falimentit. Shoqatat kanë shtruar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit me argumentin se prodhimi vendas i birrës është ulur me 7 %. Gjithashtu, shoqata argumenton se në Shqipëri niveli i akcizës është 4 herë më i lartë se niveli minimal i akcizës se birrës rekomanduar nga Direktiva e BE. Niveli i akcizës aktualisht është 37.2 euro për hektolitër pavarësisht kapacitetit të prodhuesit, ndërsa direktiva e BE për prodhimin deri në 200 mijë hektolitra parashikon 9.35 euro për hektolitër.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nëse do të rrëzojë ndryshimet në ligj apo do t’i lërë në fuqi. Por, akciza e birrës është vetëm një pjesë e vogël e listës së favoreve që kompania ‘Devolli’ ka marrë nga qeveria Rama.
Nga blerja e “ABC News” tek “Kosmonte Foods”, si i shtriu tentakulat në Shqipëri ‘Devolli Group’ dhe u bë “mik” me Ramën?
Përpjekjen e parë për të hyrë në tregun e Shqipërisë vëllezërit Devolli e kanë bërë në mars të vitit 2008, ku kanë hapur kompaninë e njëjtë në kuadër të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Tiranë. Atë kohë kompania është regjistruar me emrin tregtar “Devolli Company”, me pronar të vetëm Blerim Devollin.
Gjatë viteve të qeverisjes Rama, ‘Devolli’ ka lulëzuar me kompaninë e tij që sjell produkte e lëndë të para ushqimore, qumësht, lëng e pluhur, bulmetra, birrë, pije alkolike ose jo, dhe lëngje frutash. Ndërkohë që e ka konsoliduar biznesin duke u shtirë dhe në industrinëmediatike me blerjen e medias “ABC News”.
Ish kryeministri Sali Berisha në vitin 2023 deklaroi se ‘qeveria ndryshoi akcizën e birrës për të favorizuar Devollin, i cili vuri në shërbim të qeverisë televizionin ABC News’. Ky i fundit pati një reformim rrënjësor pas ndryshimit të pronësisë, duke filluar që nga stafi, deri tek politika editoriale.
DASH, në raportin e publikuar në vitin 2023, thotë se pasi televizioni “ABC News” ndryshoi pronësinë, pati raportime se programet e drejtuara nga gazetarë kritikë ndaj qeverisë u mbyllën dhe ata gazetarë u larguan nga stacioni.
Sot “ABC News” figuron në pronësi të shtetasit Esat Bojku, një emër ky më shumë përfaqësues i të tretëve sesa direkt si biznesmen, pasi pronar ‘defacto’ janë vëllezërit Devolli.
Operacioni ‘fshesa’ në “ABC News” pas ndryshimit të pronarit
Gazetari dhe moderatori Endri Xhafo drejtoi për një kohe të gjatë emisionin politik ‘Log’ në ABC, por pas ndryshimit të pronarëve ishte tek lista e zezë.
“Gjithçka ka ndryshuar brenda një fundjave. Kemi të gjithë një ide të asaj që mund të ketë ndodhur. Brenda një fundjave është larguar administratori Idaver Sherifi i cili nuk do të pranonte një largim masiv të njerëzve“, deklaroi Xhafo në janar të 2023 në një intervistë për Syri Tv.
Ai përmendi gazetarët dhe drejtuesit e larguar nga ABC si: Andi Tela, Emirjon Senja, Sonila Aga, drejtoreshë e burimeve njerëzore dhe anëtare e bordit mbikëqyrës, Luljeta Progni autore e emisionit Vetting, si dhe emisioni Piranjat si produksion i jashtëm.
Një emër tjetër mjaft i njohur ishte dhe gazetari Artan Hoxha, i cili akuzoi regjinë qëndrore (qeverinë) për heqjen e tij nga puna. Ndërkohë Hoxha thekson se në momentin që ai publikoi një material për 21 janarin, pra kundër Berishës, televizioni kërkoi sërish ta merrte në punë, por më parë duhet të flitej me Endri Fugën, drejtori i PR dhe komunikimit i kryeministrit Rama.
‘Televizioni ku unë punoja, pa më njoftuar askush, i ishte dhënë një urdhër redaktorëve që nuk del më në ekran. Në ekran kanë dalë të gjithë analistët që dilnin në ekranet e tjera. Dhe nga ai moment për shkak se ngjarjet vazhduan. Deri aty dukesha si i tyre, çoja ujë te mulliri i tyre dhe tani kisha kaluar te krahu tjetër. Padashur gjatë rrugës unë nxora materialin tjetër të 21 janarit dhe menjëherë më thirrën e më thanë që mund të vesh atje, mund të të japim edhe dyfishin e rrogës, por ne duhet të komunikojmë me Fugën. U thashë a bëhet gjë të mos jem te kjo bordero. S’më kishte bërë vaki ndonjëherë’, deklaroi Hoxha në një intervistë për gazetarin Adi Krasta.
Asokohe pati një reagim edhe nga moderatori Enkel Demi, emisioni i të cilit vazhdon në televizionin në fjalë. Gjatë një puntate Demi tha se ‘të gjithë miq i kisha, por i pushuan nga puna’.
Sot “ABC News” është një nga zërat më të fortë pro kryebashkiakut Erion Veliaj dhe qeverisë. Aty janë strehuar edhe analistët kryesorë të pushtetit, të cilët marrin paga dhe honorare të majme, me në krye drejtuesin e televizionit, Sokol Balla, i cili drejtoi operacionin ‘fshesa’, të përmendur më sipër.
Një detaj interesat që shpjegon lidhjen mes “Devollit” dhe Ramës është fakti që miku i ngushtë i këtij të fundit, Baton Haxhiu, është drejtor marketingu tek kompanina në fjalë.
Rasti i birrës nuk ka qenë i izoluar në listën e favorizimeve që qeveria Rama i ka krijuar kësaj kompanie. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me miellin dhe rastin flagrant të ‘Kosmonte Foods’, të cilët krahas çmimit kanë cënuar rëndë edhe sigurinë konsumatore.
‘Kosmonte Foods’, investitori strategjik i Kosovës që gjeti dyert hapur edhe në Shqipëri
Sipas një kontatimi të KLSH, ‘Kosmonte Foods’ mashtron konsumatorët duke shitur yndyrën vegjetale për gjalp. (Lexo lajmin e plotë)
Sipas KLSH-së, mashtrimi me 45 tonë yndyrë vegjetale fillon në Pikën e Inspektimit Kufitar në Qafë Thanë për të përfunduar më pas te kompania që e tregton produktin.
Certifikata e lëshuar në Ukrainë nuk është e përkthyer në gjuhën shqip, dhe për të gjitha këto shkelje, sipas KLSH-së, sasia 45 tonë yndyrë vegjetale nuk duhej të futej në Shqipëri.
Por kompania “Kosmonte Foods”, me administrator Z. Lulzim Begajn, jo vetëm që e futi produktin në Shqipëri, por ia shitën konsumatorit për gjalp.
Sipas KLSH-së, yndyra vegjetale duhej të hiqej nga tregu menjëherë dhe të asgjësohej, ndërkohë inspektorët e AKU-t pa e analizuar cilësinë e produktit në laborator, i kanë dhënë mundësinë kompanisë për ta ri-etiketuar dhe për ta shitur përsëri.
Gjithashtu në Domje ndodhet biznesi i Lulzim Begajt, mbi tokë që nuk dihet se si e ka përfituar. Kujtojmë se për tjetërsimin e pronave në atë zonë, u arrestua ish kryetari i komunës Bërxullë, Ymer Marku.
Investitori strategjik i Kurtit që iu hapën dyert në Shqipëri
Albin Kurti i hypi kalit të pushtetit në shkurt 2020, pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019, por nuk qëndroi gjatë, vetëm 50 ditë. Ai u shkakrua pas mocionit të iniciuar nga partneri i tij i koalicionit LDK. Ndonëse nuk qëndroi gjatë Kurti i kishte objektivat e qarta në lidhje me raportin me oligarkët. Në një deklaratë të 22 tetorit 2019 Kurti me tone të ashpra kërcënoi oligarkët e Kosovës, të cilët siç shprehej ai ‘kanë të gjithë pushtetin ekonomik’, madje përmendi dhe emra. Ai përmendi koorporatën Devolli, e cila sipas tij kontrollonte edhe doganat e Kosovës dhe që do të goditej së shpejti në paligjshmërinë e saj’.
“Për pjesën e pajustifikueshme do të ketë dhe duhet të ketë konfiskim. Tashmë kemi një koorporatë në Kosovë, kjo është ‘Devolli’. Kjo koorporatë thuhet se është e rëndë gjysmë milardi euro. Ata kanë edhe doganat e Kosovës” – deklaronte Kurti.
Por Devollët në lidhje të ngushta me Serbinë, e paguajtën ‘gjobën’ e pushtetit dhe u ulën në tryezë, vendimet pas së cilës e kthyen pllakën 360 gradë.
Tashmë me Kurtin që u rizgjodh për herë të dytë kryeministër më 22 mars, 2021, Kompania “Kosmonte Foods” e Devollëve është biznesi më i privilegjuar në Kosovë, pasi kjo kompani gëzon statusin e ‘investitorit strategjik’.
Në 14 janar 20, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës njoftoi për një marrëveshjes mes Qeverisë Kurtit dhe “Kosmonte Foods” me pronar Lulzim Begajn, përmes të cilës kjo kompani u “shpërblye” me 25 hektarë tokë në komunën e Harilaqit të Fushë Kosovës.
E gjitha u bë përmes statusit të investitorit strategjik, të cilin e përfitoi kompania “Kosmonte Foods” nga ana e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e VV-së votuan me shumicë në favor të kësaj nisme të MINT-it. Sipas pritshmërive kjo kompani do të arrinte të punësonte 300 punëtorë.
Por duket se për dhënien e statusit kësaj kompanie janë shkelur procedurat. Një kompani, nuk mund të rekomandohet për Investitor Strategjik, nëse ka probleme me ligjin. Kjo është e përcaktuar edhe në Udhëzimin Admisnitartiv (QKR) 15/2018 Për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Caktimin e Statusit të Investitorit Strategjik.
Ndaj kompanisë në fjalë, Agjencia e Pyetjeve kishte ngritur padi për mosrespektim të kontratës.
Media Periskopi mëson se padia ende ekziston dhe pavarësisht kësaj i është drejtuar me një pyetje të thjeshtë: “A ekziston ende padia, apo ështe terhequr?”. Padia ishte bërë nga qeverisja e kaluar.
Githsesi ky detaj nuk ishte aspak pengesë për Ministrinë e Bujqësisë, qëllimi ishte që kompania të pajiset më pasaportën e Investitorit Strategjik, pasi pazari ishte bërë.
Siç edhe është raportuar më herët, Kompania “Kosmonte Foods” ishte përkrahëse financiare e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje. Partia tani në pushtet, nuk ‘i ka harruar të mirat’ që i ka bërë kjo kompani dhe kërkon të marrë sërish, ndaj vendosi t’i kthejë borxhin, por me një marrëveshje të re, dhe e shpalli “Investitor Strategjik”.
Kurti bashkëpunon me oligarkët, njësoj si Rama, ndryshimi i vetëm është që ndoshta e bën më me stil, përdor biznesmenë emri i të cilëve nuk është përlyer me të tjerë, por nuk humbet as rastin t’i shkëmbejë me homologun e tij të Shqipërisë, siç është rasti i Devollëve.
Gjithashtu vlen të theksohet se ndryshe nga “Kosmonte Foods”, që u “ledhatua” nga pushteti, Qeveria Kurtinë prill të 2023 goditi dy biznese në pronësi të Devollit. Klan Kosovën, të cilës iu shfuqizua certifikata e biznesit, ndërkohë Agjencia e Regjistrimit të Biznesve (ARBK) vendosi edhe për shfuqizimin e certifikatës së Art Motion. Një lojë me 2 porta e Albin Kurtit, i cili kërkon të mbajë gjallë në elektorat mitin e paprekshmërisë tëndikimit nga oligarkët.
Mallërat serbe, taksa 100%, interesat ekonomikë
Kompania ‘Devolli’ krahas produkteve vendase, importon mallëra nga Serbia, të cilat më pas i shpërndan në Kosovë, Shqipëri, por jo vetëm. Kjo kompani u godit në vitin 2018, pasi kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj, vendosi një taksë 100% për mallrat serbe që hynin në Kosovë, duke e quajtur si një ‘mbrojtje e sigurisë’ kombëtare, përballë kërcënimeve serbe. Kjo taksë u hoq nga Albin Kurti pjesërisht në 15 mars 2020, ku në një dalje për media ai tha se ‘nuk është për taksën në tërësi, por vetëm për lëndën e parë’. Kurti theksoi asokohe se tarifa doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.
Në 15 Qershor 2023 Qeveria e Kosovës dha urdhër për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe. Kryeministri Albin Kurti e cilësoi ndalesën si masë të sigurisë, dhe jo ekonomike apo tregtare. ‘Për arsye të ndryshme, Kosova, edhe në të kaluarën, ka marrë masa kufizuese kundër prodhimeve serbe – të cilat janë ndër më të pranishmet në tregun vendor – gjë që ka rezultuar pastaj me rritje çmimesh.’
Pak ditë më parë (28 maj 2024) ish-kryeministri Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin si të rekrutuar nga serbët. Sipas tij, “ky rekrutim ka ndodhur gjatë kohës sa ka qenë në burg në Serbi. Ai ka shtuar se “Kurti zbaton agjendën ruse”, që “ka për qëllim largimin e Kosovës nga SHBA-ja dhe NATO-ja”. Por, asnjë nga këto akuza, të cilat kanë qarkulluar edhe mëherët, nuk është vërtetuar.
“Devolli” dhe mielli serb pa standard
I ngjashëm me ‘akcizën e birrës’ është edhe rasti i favorizimit të ‘Devollit’ për importimin e miellit në Shqipëri. Sipas industrialistëve shqiptarë të blojës, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.
Prodhuesit vendas pohojnë se mielli nga Kosova ka një nivel proteinash 7 deri në 10% maksimumi, ndërsa fabrikat shqiptare të blojës aplikojnë standardin 12% për proteinat, në të kundërt paralizohen. Ky problem i hershëm për prodhuesit shqiptarë duket se tashmë ka arritur kulmin, pasi kriza ekonomike i ka çuar gjithnjë e më shumë prirjet e konsumatorëve drejt produkteve të lira. Ndaj mielli i Kosovës ka avancuar në treg dhe kontrolli i tij nga autoritetet shqiptare ka probleme të shumëfishta që nuk lidhen vetëm me standardin.
Në vitin 2014, Shqipëria dhe Kosova u përfshinë në një konflikt të ri tregtar për shkak të miellit. Shoqata e Përpunuesve të Miellit lajmëroi zyrtarisht nëpërmjet një letre të hapur drejtuar kryeministrit falimentin për shkak se, mielli jashtë standardeve që importohej nga Kosova po falimentonte industrinë vendase. Biznesi shqiptar i përpunimit pretendonte se standardet e proteinës në miellin kosovar ishin pak më shumë se 9%, ndërkohë që fabrikat shqiptare prodhojnë me standard 12% dhe për rrjedhojë, me një kosto më të lartë.
Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së Industrisë Përpunuese të Miellit në vitin 2017 deklaronte se, qeveria shqiptare, duke ulur me udhëzim standardet e proteinës në miell, e ka favorizuar importin dhe çon në faliment të pashmangshëm industrinë e vendit. Nga ana tjetër, industria e miellit e Kosovës pretendoi se, qeveria e Shqipërisë po diskriminonte mallrat kosovare në tregjet e saj. Madje në këtë debat u përfshi edhe analisti Baton Haxhiu, i cili iu kthye kundër qeverisë shqiptare në mbrojtje të kompanisë nga Kosova, Devolli.
Sipas Haxhiymerit, mielli për prodhimin e bukës që vjen në Shqipëri nga Serbia prodhohet nga gruri që përdoret për kafshët. Niveli i proteinave të grurit është 10.5%, ndërsa standardi që duhet të ketë mielli për prodhimin e bukës duhet të ketë nivelin e proteinave 12%. /GazetaReforma