Prokuroria e Tiranës ka shpallur pretencën për Dan Hutrën, autorin e masakrës që tronditi vendin në mars të vitit 2023.
Prokurori Enklid Gjini ka kërkuar tre dënime me burgim të përjetshëm për Hutrën, për akuzën e vrasjes së tre grave, Mevlute Sadikes, Hasime Datkut dhe Etleva Kurtit.
Për tre ngjarjet e tjera, që mbetën në tentativë, prokuroria ka kërkuar dënime të larta, 35 vite burg për plagosjen e Elena Hysës, 35 vite të tjera për plagosjen e Kujtime Hysës dhe 30 vite për plagosjen e Marjona Gurakuqit.
Në të gjitha këto raste, prokuroria i ka cilësuar veprimet si “vrasje e mbetur në tentativë”.
Ndaj Hutrës janë kërkuar gjithashtu 5 vite burg për akuzën e sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjes, 7 vite për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe 3 vite për prodhimin e armëve të ftohta. Në total, përveç tre burgimeve të përjetshme, pretenca përmbledh mbi 110 vite dënim shtesë.
Në seancën e së mërkurës, e cila u mbajt në gjykatën e Tiranës, i akuzuari u përfaqësua nga një avokat i caktuar nga shteti.
Gjykata vendosi të japë kohë përgatitjeje mbrojtjes dhe caktoi seancën e radhës për datën 14 maj, ora 09:30.
Si ndodhi masakra?
Ngjarja nisi në orën 12:15, në rrugën “Teodor Keko”, pranë “Pallatit me Shigjeta”, ku Dan Hutra plagosi me thikë 40-vjeçaren Marjona Gurakuqi. Pas kësaj, u largua me një automjet të marrë me qira dhe rreth orës 12:35 mbërriti në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Atje, me armë zjarri plagosi Elena Hysën (35 vjeç) dhe nënën e saj Kujtime Hysa (60 vjeç), ndërsa ekzekutoi motrën e ish-bashkëjetueses, Mevlute Hysa (30 vjeçe), dhe Hasime Dafkun (30 vjeçe), e fejuara e vëllait të Elena Hysës.
Vetëm pak minuta më pas, në orën 12:48, autori mbërriti te banesa e familjes Kurti në zonën e Bathores dhe vrau me armë zjarri Etleva Kurtin, 31 vjeç.
E gjithë skema e lëvizjes së tij ndodhi brenda më pak se një ore, ndërkohë që Policia e Shtetit mori njoftimin e parë zyrtar në orën 13:40 pra, pas përfundimit të të gjitha akteve të dhunshme.
Profili i Dan Hutrës, një histori kriminale 20-vjeçare
Dan Hutra nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet. Ai ka një dosje të gjatë kriminale që përfshin vepra si përdhunim, pengmarrje, vrasje, dy tentativa arratisjeje, dhunë në burg, vjedhje dhe dhunë në familje.
Në vitin 2003 u dënua me 2 vjet burg për heqje të paligjshme të lirisë. Në 2009 mori 16 vjet burg për vrasje me paramendim. Pas lirimit, vijoi me vepra të tjera penale, përfshirë tentativë vjedhje në vitin 2022.
Në qershor 2022 u arrestua për dhunë në familje ndaj Elena Hysës, por u lirua më 16 shkurt 2023 – vetëm disa ditë para se të kryente masakrën.