Skip to content
Të Gjitha

Trau i Kastratit në Rrugën e Kombit, Presidentja Vjosa Osmani: Është barrierë psikologjike mes shqiptarëve!

· 2 min lexim

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar traun në Morinë si një barrierë psikologjike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në emisionin “Tempora” ajo e sqaroi këtë hipotezë, duke thënë se atdheu është ideal dhe kjo nuk mund të lidhet me çështjet ekonomike të një X shteti.

Osmani shtoi se Shqipëria nuk zgjidhet nga qytetarët e Kosovës vetëm për plazhin, por edhe për dashurinë për këtë tokë.

“Arsyeja pse përmenda traun në Morinë është se po konsiderohet si një barrierë psikologjike. Ka qenë një temë e përditshme në Kosovë dhe unë e kam për detyrë që t’i shpreh këto shqetësime.

Nuk futem te çështja teknike dhe ekonomike, por atdheu është ideal nuk është vetëm para. Shumë shqiptarë nga Kosova nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm për plazhin, por edhe për dashurisë që kanë për Shqipërinë.

“Në Lezhë u njoftova se 70% të vizitorëve janë kosovarë. Pra, nuk jemi vizitorë si gjithë të tjerët. Ky tra po shihet si një barrierë psikologjike”, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Nga ana tjetër, disa ditë më parë, kryeministri Rama iu përgjigj deklaratave të bëra në Kuvendin e Shqipërisë nga Vjosa Osmani. Rama tha se rruga e Kombit është rrugë e Atdheut dhe si e tillë duhet të mirëmbahet.

Sipas tij kjo rrugë ishte e destinuar të shkatërrohej nga faktorë të ndryshëm, ndërsa tani po ndryshon me standardet e nevojshme./Gazetareforma.com/