Tragjedia e radhës ka ndodhur ditën e sotme në minierën e Bulqizës. Një minator 35-vjeçar ka humbur jetën në vendin e punës, pas rrëzimit të një masivi gurësh. Mësohet se minatory që ka humbur jetën është Elton Alla.
Në një njoftim të shkurtër, policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30. Në kohën që ka ndodhur aksidenti fatal, Alla ka qenë duke kontrolluar në punë.
NJOFTIMI I POLICISE
Me datë 28.05.2021, rreth orës 18.30, në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar shtetasi E. A., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon hetimi për zbardhjen e plotë shkaqeve ngjarjes.
Aksidentet me pasoja fatale janë të shpeshta në minierën e Bulqizës. Këto janë disa nga rastet e aksidenteve:
-8 shkurt 2019, një minator 53 vjeçar humbi jetën në minierën e kromit në Bulqizë, pas goditjes nga një masiv guri.
– 25 maj 2018, dy minatorë u plagosën në minierën e kromit në Bulqizë, teksa punonin në nivelin e 17-të të minierës
– 11 maj 2018, një minator 62 vjeçar humbi jetën, pasi një masiv shkëmbor i ra sipër teksa po punonte në galerinë D të minierës.
– Mars 2018, një minator 66 vjeçar humbi jetën, si pasojë e shëmbjes së një masivi shkëmbor.
– Në nëntor 2017, viktima ishte një minator 20 vjeçar, ndërsa në tetor një 33 vjeçar.
Vetëm pak ditë më parë një tjetër aksident ndodhi në zonën D, ku mbeti i plagosur një minator 36 vjeçar.