Ironikisht, ndërsa Sali Berisha dhe Lefter Koka kërkojnë nga të tjerët guxim dhe transparencë për të nxjerrë në dritë lidhjet e fshehta dhe transaksionet e dyshimta, vetë ata duket se e kanë të pamundur të gjejnë këtë guxim për të folur hapur.
Berisha i bën thirrje Monika Kryemadhit të tregojë për komunikimet dhe pagesat e saj me Edi Ramën, ndërsa Koka i kërkon SPAK-ut të hetojë më tej Kryemadhin për atë që ai e quan “peshku i madh.” Por, ndërkohë që bëjnë thirrje të mëdha për transparencë, as Berisha dhe as Koka nuk flasin hapur për të gjitha faktet që dinë dhe për personat me të cilët kanë bashkëpunuar për vite të tëra.
Berisha nis deklaratën duke përmendur Kokën, të cilin e përshkruan si “ladro utile,” ose hajdut të dobishëm, duke pretenduar se “i erdhën dy pare mend” për të folur. “Iu rikthye edhe guximi,” thotë ai, duke iu referuar pohimeve të Kokës se “nuk jam unë autori i djegësve, peshku i madh është në telefonin e zonjës Kryemadhi.”
Berisha vazhdon duke kërkuar që Kryemadhi “të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzoi Edi Ramës 460 mijë euro,” si dhe “gjithçka di për kryehajdutin e të gjitha kohërave.”
Nga ana tjetër, Lefter Koka, i dënuar për përfshirje në aferën e inceneratorëve, vazhdon të hedhë fajin mbi të tjerët, duke kërkuar që SPAK të hetojë telefonin e Kryemadhit, ku sipas tij do të gjejnë peshkun e madh të inceneratorëve. Megjithëse Koka vazhdon t’i bëjë thirrje SPAK-ut të hetojë të tjerët, ai nuk bën hapin të flasë hapur për rolin e tij dhe të tjerëve, duke ruajtur heshtjen mbi të vërtetat që mban.
Ndërkohë që Koka dhe Berisha kërkojnë që të tjerët të nxjerrin në dritë të vërtetat, asnjëri prej tyre nuk merr hapin të përmendë emra të tjerë të përfolur. Pse Berisha nuk përmend publikisht emrin e kolegut Bashkim Ulaj dhe të oligarkëve të tjerë, të cilët janë përfolur për përfitime marramendëse nga projektet e mëdha publike? Nëse Berisha do të kishte marrë guximin që tani kërkon nga të tjerët, ndoshta nuk do të ishte sot duke dhënë deklarata nga arresti shtëpiak, nga ballkoni i shtëpisë së tij.
Thirrja për Drejtësi – Guxoni, zbuloni edhe emrat e oligarkëve!
Teksa i bashkohemi thirrjeve të Berishës dhe Kokës për të kërkuar që e vërteta të dale në dritë, u bëjmë thirrje të dyve, bashkë me Kryemadhin dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në këto afera, që të marrin guximin për transparencë dhe të mos fshehin më aferat e njëri-tjetrit.
Çështja nuk kufizohet vetëm tek përmendja e emrave të oligarkëve – kërkohet ushqimi i transparencës dhe kultivimi i guximit për të folur hapur, për të treguar të gjitha marrëveshjet dhe transaksionet e fshehta që kanë ndodhur pas perdeve. Transparenca duhet të jetë parim, jo përjashtim, dhe vetëm me ndriçimin e plotë të së vërtetës mund të ndërtojmë një drejtësi të vërtetë dhe të paanshme.
Pse nuk veprojnë edhe ata si Blendi Klosi, i korruptuari që sot qëndron krah oligarkëve dhe strukturave më të larta të Partisë Socialiste, pasi ka deklaruar se nëse thirret për aferat e tij në SPAK, do të “tefterosë” që nga koha e Fatos Nanos? Në fakt, SPAK duhet ta thërrasë sa më parë për të zbuluar peshqit e tjerë dhe për të hetuar aferat e tij.
Heshtja nuk është më një mburojë, por vetëm një rrugë drejt përballjes me ligjin. Koha për guxim të vërtetë ka mbërritur – çdo deklaratë duhet të përmbajë emra konkretë, ndryshe drejtësia do t’i bëjë të pendohen që s’e gjetën dot guximin më parë…
/gazetareforma.com