Tentoi të grabiste me kallash marketin, 20-vjeçari bie në pranga

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një 20-vjeçar me inciale K.K. është arrestuar nga policia e Kamzës, pasi po planifikonte të grabiste një market.

Policia u vu menjëherë në lëvizje, pasi mori informacionin, se një person po qarkullonte me biçikletë në Laknas në orët e pasdites, duke mbajtur me vete një çantë shpine, ku brenda saj dyshohej se kishte armë zjarri.

Në momentin që i riu po përgatitej të hynte në market, është prangosur në flagrancë nga efektivët.

Gjatë kontrollit në çantën e shpinës, u gjet një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë.

Ndaj tij po zhvillohen hetime, pasi dyshohet se është autor i disa tentativave të tjera për grabitje në Tiranë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Kamzë

Policia parandalon vjedhjen me armë të një marketi.

Finalizohet operacioni policor “Laknasi”.

Kapet në flagrancë 20-vjecari, i cili po planifikonte të vidhte me armë në një market, në Laknas.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, kapjen dhe arrestimin e personave që tentojnë të kryejnë vjedhje me dhunë e armë, në orët e mbrëmjes së datës 13.02.2020, Seksioni i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se në Laknas, një shtetas 20-vjeçar qarkullonte në orët e pasdites, me biçikletë, duke mbajtur me vete një çantë shpine, brenda së cilës dyshohej se mund të kishte armë zjarri.

Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Laknasi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe identifikimin e shtetasit të dyshuar, i cili qarkullonte me një biçikletë dhe në çantën e shpinës kishte një armë zjarri kallashnikov. Në momentet që ky shtetas po përgatitej të hynte në një market në Laknas, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e prangosur në flagrancë shtetasin K. K., 20 vjeç, banues në Laknas.

Gjate kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë.

Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se ky shtetas mund të jetë autor edhe i disa tentativave të tjera për vjedhje me armë, të ndodhura më parë në Tiranë.

Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Shpërndaje
Share.

Komento