Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ka nisur një operacion në Rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, kundër mallrave të kontrabanduara. Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.
Qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë këtë aksion dhe Policisë i është dashur që të hedhin gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Gjatë aksionit janë arrestuar 8 persona dhe kanë mbetur të plagosur 6 të tjerë, të cilët kanë kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.
Në lidhje më këtë situatë ka reaguar edhe Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Borrell përmes një reagimi në rrjetin e tij social ‘Twitter’ ka shkruar se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, -ka shkruar Borrell.
Gjatë aksionit të sotëm në veri, policia është sulmuar nga serbët lokalë me gur, shok bomba, gaz lotsjellës e mjete të tjera.