Temperaturat e ulta vazhdojnë të shkaktojnë dëme sidomos në shëndetin e fëmijëve. Virozat gripale janë për momentin”kërcënimi” më i madh sidomos për qytetin e Lezhës. Për Ora News, mjeku pediatër Mark Marku është shprehur se situata është disi nën kontroll, megjithatë disa pika dhe këshilla duhet t’i mbajmë parasysh.
“Kemi rritje të fëmijëve që vijnë, rritja është me një mesatare të shprehur. Po ta krahasojmë këtë periudhë me para Vitit të Ri, nga 30 kemi 50 fëmijë në ditë. Situata është nën kontroll. Ka probleme me aparatin frymëmarrës, kollë dhe rrufë”, ka thënë mjeku.
Momentalisht në urgjencën pediatrike të Spitalit të Lezhës, paraqiten minimalisht 50 fëmijë në 24 orë, të cilët kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmë mjekësore.
Megjithatë për shkak të temperaturave dhe ndryshimeve që pritet të ketë moti, fëmijët e prekur nga virozat do të jenë gjithnjë në rritje, ndërsa bluzat e bardha vazhdojnë të këshillojnë dhe rekomandojnë prindërit sesi të tregojnë më shumë kujdes ndaj fëmijëve dhe të mos neglizhojnë simptomat.