Operacioni Forca e Ligjit iu ka dërguar sot formularin e deklarimit të burimit të pasurisë tri të dënuarve në Vlorë.
Sipas Dosja.al bëhet fjalë për Real Osmani, Elidon dhe Aleksandër Bojko të cilët brensa 48 orëve duhet të deklarojnë burimin e pasurisë së tyre.
Osmani është i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë; Elidon Bojko për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”; ndërsa Aleksandër Bojko për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I PLOTË:
OFL, 16 korrik, Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
R. O., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë;
E. B., banues në Vlorë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
A. B., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.