Një grup pensionistësh italianë që jetojnë në Shqipëri i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke shprehur shqetësimin për mundësinë e vendosjes së një takse 15% mbi pensionet e tyre, të ardhura që deri më tani nuk janë taksuar. Sipas raportimit të La Repubblica, mes rreth 3,000 pensionistëve italianë rezidentë në Shqipëri ka ankth dhe pasiguri në rritje për një të ashtuquajtur goditje fiskale.
Prej disa javësh, pensionistët raportojnë se ndihen të kërcënuar nga ndryshimet ligjore në fushën fiskale. Më 23 janar, portali AlbanItaly, i drejtuar nga ish-gazetari i RAI-t Giuseppe Mazzei, publikoi një artikull ku pasqyrohet kjo situatë dhe shqetësimet e komunitetit italian në Shqipëri.
Në letrën drejtuar kryeministrit, pensionistët shprehen se ekziston rreziku që ata të trajtohen si subjekt biznesi, duke u detyruar të paguajnë taksën bazë prej 15% mbi të ardhurat dhe të plotësojnë deklaratën vendore të të ardhurave Diva. Sipas tyre, kjo do të përbënte një barrë të rëndë financiare dhe administrative.
Shqetësimi lidhet me ndryshimet e ligjit fiskal të miratuara në janar 2024. Ligji i vitit 2019 përjashtonte nga taksimi shtetasit e Bashkimit Europian me leje qëndrimi në Shqipëri, përfshirë edhe pensionistët italianë. Ligji i ri, sipas raportimit, kufizon përjashtimet vetëm për të ardhurat e mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke reduktuar ndjeshëm nivelin e mbrojtjes. Edhe pse gjatë vitit 2025 administrata tatimore nuk ka kërkuar pagesa nga pensionistët italianë, pasiguria ka vazhduar të rritet.
Pensionistët italianë që jetojnë në Shqipëri përfitojnë mesatarisht rreth 3,500 euro në muaj. Shumë prej tyre janë drejtuar pranë CAF-eve dhe Drejtorisë së Tatimeve për sqarime, por sipas tyre informacionet e marra kanë qenë të paqarta dhe shpesh kontradiktore.
Sondazhet e zhvilluara brenda komunitetit tregojnë se një taksë 15% mund t’i shtyjë shumë pensionistë të largohen nga Shqipëria dhe të zhvendosen drejt vendeve më miqësore fiskalisht si Sllovakia, Hungaria apo Kroacia. Një largim i tillë do të kishte pasoja ekonomike për vendin, pasi pensionet italiane që hyjnë çdo vit në Shqipëri arrijnë mbi 136 milionë euro, të shpenzuara kryesisht për qira, konsum lokal, supermarkete, restorante dhe shërbime të tjera.







