Ashtu si të gjithë vendet e prekura nga COVID-19, edhe në Shqipëri ekonomia është goditur rëndë, duke marrë parasysh se nuk është rikuperuar ende dëmi i shkaktuar nga tërmeti.
Një nga sfidat më urgjente për qeverinë shqiptare është rimëkëmbja e ekonomisë dhe rigjallërimi i biznesit.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, bëri me dije për emisionin “Pa Protokoll”, se së bashku me Ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe dy zv. ministrat e Financave, kanë zhvilluar një takim me drejtues të Dhomave dhe shoqatave të bizneseve, për të mësuar rreth shqetësimeve të tyre.
Shalsi u shpreh se disa nga propozimet e tyre, që nuk janë përfshirë tek paketa e parë financiare, do të përfshihen tek e dyta.
Më tej ai tha se qeveria nuk mund të plotësojë çdo kërkesë të tyre, pasi disa janë jashtë çdo mundësie.
“Kemi marrë shumë propozime nga shoqata, Dhoma dhe biznesmenë. Në fillim të javës që vjen do të kemi paketën e dytë. Kemi marrë edhe llojet e ankesave pas paketës së parë dhe po shohim cfarë mund të rregullojmë atyre bizneseve që nuk kanë mundur dhe s’e kanë gjetur veten te paketa e parë. Jemi në kushte anormale, mes betejës ekonomike dhe shëndetësore të mbajmë një balancë të dy gjërave që duhet të përballohen. U parashikua që në fazën e parë ishte më e domosdoshme ti përgjigjemi një kategorie të caktuar, ndaj me paketën e dytë do të shohim fushat që nuk u përfshinë te e para dhe do të rregullohet për t’u mbështetur në të dytën. Sot bashkë me Ahmetajn dhe dy zv/ ministrat e Financave kemi pasur një takim të zgjeruar me kryetarët e Dhomave që kanë adresuar kërkesa drejt qeverisë. Datojnë që nga marsi, por janë pasuruar edhe me sugjerime të tjera. Ka shoqata që janë mjaftuar me 3-4 kërkesa bazike, sikundër ka që janë me 22 kërkesa. Sot patën një ballafaqim në takimet virtuale për të kuptuar më mirë. Nuk mund të plotësojmë cdo kërkesë të biznesit, pasi disa fatkeqësisht janë jashtë cdo mundësie për t’i plotësuar. Disa bënë sugjerime që besoj do i marrim në konsideratë. Të karakterit administrativ” tha ai.
Përsa i përket rishikimet të koncesioneve, ministri tha se situata është e paprecedentë dhe do të rishikohet i gjithë buxheti në tërësi, përfshi dhe PPP-të.
Ndërsa lëvizjet e opozitës, ai i ka quajtur “bori që i kanë rënë prej kohësh”.
“Ndihem jo mirë që jam ndeshur dhe kam lexuar sulmet politike dhe s’u kemi kushtuar vëmendje, sepse është koha për të lënë lojërat politike apo diferencat pa bukë. Nuk i kam ndjekur lëvizjet e opozitës me përjashtim të fillimit. Koncesionet? Janë bori që i kanë rënë prej kohësh. Ne kemi një plan të përqendruar të veprimeve që po bëjmë. Edhe cështja e buxhetit do të rishikohet, jo vetëm të PPP-ve, por total të përgjithshëm për shkak se kemi të bëjmë me një situatë të paprecedent, është gjëja më normale të shikohen të gjithë zërat e buxhetit. Masat duhet të jenë të mirë-studiuara, pasi ajo që duket e mirë sot mund të mos jetë e vlefshme pas dy ditësh”, vijoi Shalsi.
Në lidhje me rimëkëmbjen, Shalsi tha se është herët të flasim, por beteja nuk është afatshkurtër.
“Është ende herët të flasim. Ajo që mund të them është që beteja nuk është afatshkurtër, do të kërkojë kohë, por ne na duhet të vijojmë në drejtim të kësaj rruge që kemi nisur, deri tani jemi të kënaqur. Lehtësimi i lëvizjes apo mbështetja për biznesin synojnë hapjen e ekonomisë. Por duhet të jemi të kujdesshëm”, përfundoi ai.
Që nga 1 prilli të gjithë bizneset, aktiviteti i të cilëve është pezulluar kanë pasur mundësi të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ndihmës financiare.
Këshilli i Ministrave ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me bankat, në mënyrë që bizneset të marrin kredi për të paguar punëtorët.
Kujtojmë këtu se pak ditë më parë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, doli me disa propozime urgjente për qeverinë, për të lehtësuar dëmin ekonomik të krijuar tek bizneset, për shkak të COVID-19.