Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë nga Nju Jorku për televizionin francez “TV5MONDE”. Kryeministri Rama është shprehur se Shqipëria, si anëtare e Këshillit të Sigurisë në OKB, i ka idetë e qarta.
“Për ne është një ngjarje historike që jemi pjesë e Këshillit të Sigurisë së OKB. Jemi një vend i vogël, por kemi ide të qarta dhe do të bëjmë çdo gjë që nevojitet për të çuar përpara objektivat e OKB. Për një botë më të mbrojtur ndaj ndryshimeve klimatike, për një botë më solidare dhe më të bashkuar kundër terrorizmit. Ne jemi aleatë krenarë të SHBA dhe të Francës”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Mes të tjerash, Rama është ndalur edhe te pranimi i shtetasve afganë nga Shqipëria, pas marrjes së pushtetit në Afganistan nga talebanët.
“Nuk ua hapëm derën afganëve me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA, e hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të drejtave të njeriut dhe thamë “Po”, sepse ne jemi një vend mikpritës. Jemi një vend i vogël por do të mundohemi të bëjmë gjithçka ashtu siç duhet për të ecur përpara me të tjerët sipas objektivave të vendosura nga OKB për një botë më të mbrojtur nga ndryshimet klimatike”, tha Rama.