Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka çuar në gjykatë avokatin Bardhi Koçi, i akuzuar për tre raste të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, sipas nenit 245/1 të Kodit Penal.
Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe klientja e tij, Pranvera Meshi, e cila akuzohet për të njëjtën vepër penale.
Hetimi ka nisur pas një çështjeje gjyqësore ndaj Meshit, që po gjykohej për “Falsifikim të dokumenteve shëndetësore” në Tiranë. SPAK pretendon se Koçi, i cili në atë kohë punonte në Kontrollin e Lartë të Shtetit, i ka kërkuar Meshi-t 1,500 euro dhe ka përfituar paraprakisht 1,000 euro, me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtari i çështjes së saj.
Nga bisedat e përgjuara telefonike, rezulton se avokati ka kërkuar para për të ndikuar në vendimmarrje, megjithëse nuk provohet që ai të ketë komunikuar drejtpërdrejt me ndonjë funksionar të drejtësisë.
Pavarësisht mungesës së provave për ndërveprime konkrete me zyrtarë, prokuroria argumenton se vepra penale është kryer për shkak të vetë kërkesës dhe marrjes së shumës prej 1,000 euro. Gjatë seancave për masën e sigurisë, Koçi ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kontrolli në banesën e tij është kryer pa vendim gjykate dhe nuk është gjetur asnjë provë që e implikon. Ai kërkon që të provohet identiteti i funksionarit të korruptuar, nëse ekziston.
Në të njëjtën dosje, Koçi akuzohet se i ka kërkuar një personi tjetër, me iniciale A.M., 1,300 euro për të ndikuar në përshpejtimin e një seance gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj një shtetaseje të arrestuar për drejtim të parregullt të mjetit.
Gjithashtu, SPAK e ngarkon atë edhe për një episod tjetër, ku pretendon se ka marrë përfitime të paligjshme nga një person tjetër, R.G., me qëllim ndikimin tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore.
Gjykata e Lartë, së fundmi, ka ndryshuar masën e sigurisë për Koçin, duke e zëvendësuar arrestin në shtëpi me detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, pas disa muajsh në arrest shtëpie.
Njoftimi i plotë i SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve, dërgoi gjykim më 05.08.2025, procedimin penal, nr.229/1 viti 2021 në ngarkim të të pandehurve:
1.Bardhi Koçi, i akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (tre episode) parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
2.Pranvera Meshi, e akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale, “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 dhe 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit, Pranvera Meshi dhe Bardhi Koçi.
Shtetasja Pranvera Meshi, në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.
Shtetasi, Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetësja Pranvera Meshi, shumën prej 1500 (një mijë e pesëqind) euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt, shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Shtetasi, Bardhi Koçi, ka kërkuar nga shtetasi A.M., shumën prej 1300 (një mijë e treqind) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Gjithashtu shtetasi Bardhi Koçi ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi, R.G., me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar shtetasit B.G, i dyshuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dokumentuar dy episode të tjera të kryerjes së veprës penale,“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, nga shtetasi Bardhi Koçi dhe po vijon hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”, thuhet në njoftim.