SPAK i ka komunikuar ditën e sotme zyrtarisht akuzën Ardian Çapjas dhe nipit të tij, Florenc Çapja, gjithashtu edhe katër personave të tjerë të akuzuar për vrasjen e Nezir e Gentian Beqiri, në Elbasan, në vitin 2012.
Prokurorët e SPAK iu kanë komunikuar akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 2 ose me shumë personave”, “grupit te strukturuar” dhe “armëmbajtje pa leje” Ardian Çapjas, Ervis Bardhit, Olsi Lekut dhe Klajdi Dokollit. Ardian Çapja u arrestua më 29 mars në Elbasan, ndërsa nipi i tij, Florenc Çapja është ende në kërkim nga policia. Xhaxha e nip, akuzohen për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezirit në 2012.
Në gjurmët e tyre, policia ka rënë falë dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili mes të tjerash, ka thënë se Ardian Çapja i kishte ofruar 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezirit.
Rreth një muaj me pare, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg Ardian Çapjan, duke refuzuar kërkesën e tij për masë më të butë sigurie. Kujtojmë se Ardian Çapja iu ka shpëtuar tre atentateve në qytetin e Elbasanit, ku i fundit ishte më 8 qershor 2020, ku ai u plagos me snajper brenda ambienteve të shtëpisë së tij. Gjithashtu Çapja në 2017 arriti të shpëtonte nga dy atentate që iu bënë një me armë zjarri dhe një me eksploziv. Po ashtu pak muaj më parë, Operacioni Forca e Ligjit i ka kërkuar atij deklarimin e pasurisë.