Skip to content
Politikë

SPAK kërkon dhe 3 muaj kohë për të hetuar ish-deputetin e PS-së

· 1 min lexim

SPAK ka kërkuar shtyrjen e afatit për hetimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, duke kërkuar një periudhë shtesë prej 3 muajsh. Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se po pret përgjigje nga disa agjenci partnere ndërkombëtare për letërporositë e dërguara.

Kërkesa për shtyrjen e afatit u bë gjatë seancës të martën, ku avokatët e Çyrbjas kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me kërkesën e Prokurorisë. Vendimi për këtë çështje do të merret të premten e ardhshme.

Çyrbja, i cili u arrestua në tetor 2024, është nën akuzën për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit dhe tregëtim të sekretit shtetëror. Ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit të PS-së disa ditë para arrestimit.

Çyrbja ka qenë deputet që nga viti 2017 dhe u bë i njohur për lidhjet me rastin e ish-Hotel Vollgës, një pronë në Durrës e lidhur me Emiljano Shullazin. Ai ka punuar si drejtor i Hipotekës së Durrësit nga viti 2013 deri në marrjen e mandatit si deputet.