Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte, në seancën e dytë brenda javës, pas disa ditëve pushim që deputetët i dhanë vetes, për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Gjermani.
Në rendin e ditës pritet të jetë interpelanca me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Deputeti që depozitoi kërkesën për interpelancë në Kuvend, ishte deputeti demokrat, Tritan Shehu, në lidhje me ligjin e propozuar për surrogacinë, por pritet që i gjithë debati të zhvendoset te skandali në shërbimin onkologjik në QSUT, ku mjekë dhe infermierë ishin të përfshirë në korrupsion, duke rrezikuar jetët e pacientëve.
Për rastin, Gjykata e Tiranës bazuar në të dhënat operacionit, dha masën arrest shtëpie për Edmond Gashin, mjek në onkologjik i cili ka lidhje me një klinikën private, ku thuhet se transferoheshin pacientët. Po kështu, është lëshuar detyrim paraqitjeje për mjeken onkologe Alketa Pere dhe ish-zv/drejtoreshën e QSUT-së, e cila mbulonte shërbimin onkologjik në atë periudhë dhe dy persona të tjerë, të cilët merreshin me koordinimin në shërbimin onkologjik.