Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe më parë, ka dalë para mediave, për të sqaruar të gjithë pikëpyetjet në lidhje me procesin ndaj tij.
Tahiri foli me tona të ashpra ndaj atyre që heshtën kur ai u përball me akuza të rënda, duke i quajtur “shushunja”.
Ish-shefi i ministrisë së Brendshme, nuk përmendi emra, por foli për persona që nuk iu ndanë nga fyti, qëkur hyri në politikë.
Sipas tij, në parlament ka deputetë të akuzuar për vjedhje dhe vrasje dhe mbrohen duke shfrytëzuar politikën.
“Mund të shfrytëzoja politiken. Fundja siç kanë bërë ata para meje. Dhe ata që sot para meje kanë ngelur në parlament dhe kanë mbajtur mandatin e deputetit dhe pse janë akuzuar për vjedhje e vrasje. Unë se bëra. Unë bëra të kundërtën. Lash mandatin, ndërpreva çdo veprim politik. I dendur për drejtësi. Unë besoj se sot është më mirë rreziku nga padrejtësia, sesa drejtuesi që të bën politika. Radha e servilëve dhe Shushunjat shtohet e shtohet. Për ata ca që heshtin se sikur nuk isha jetuar kurrë dhe ata ca që nuk mu ndanë nga fyti kurrë që nga dita e parë që hyra në politikë. Por mirë kanë bërë se unë besoj se sot cilësia e burrit duket nga armiqtë që ka. Që kush isha në politike ditën e parë, dhe kur isha në Kuvend, këtë rrugë zgjodha. Mbajta akuza të rënda. Më akuzuan se fitoja 5 mln euro në muaj. Më akuzuan se harxhove për fushatë 20 mln euro në muaj. Fati ishte që Gjykata Italianë gjykoi dhe tha se; ‘Tahiri s’ka lidhje me akuzat’. Karroca e prishur e akuzave ndaloi në stacionin e parë këtu”, tha Tahiri.
Më tej Tahiri shtoi se heshti për dy vite përballë të gjitha gënjeshtrave, pasi priste fjalën e drejtësisë.
Ndër të tjera ai tha se akuzat ndaj tij kanë qenë të pavërteta, ndërsa nuk harroi pa falenderuar edhe ata që i kanë qëndruar pranë.
“Nuk është më e re as për ju e as për njeri se si kaluan 2 vite dhe se si pas 2 vitesh hetime nga Prokuroria për Krime të Rënda me akuza dhe më të rënda se sa vetë emri i Prokurorisë, karroca e prishur e dyshimeve mbi mua ndaloi në stacionin e parë. Dy vjet hetime brenda prokurorisë, dy vjet gënjeshtra brenda e jashtë prokurorisë dhe unë për dy vjet me radhë heshta përballë gjithë akuzave, heshta përballë të gjitha gënjeshtrave për të respektuar drejtësinë jo se nuk di të flas dhe për të mos e çuar kurrë gjyqin para drejtësisë tek gjyqi i tavolinave apo gjyqi i mediave. Unë kam besuar që ditën e parë që nuk duhet të ishte një gjyq popullor por shembullor i drejtësisë. E bëra këtë duke ditur edhe sakrificën shumë të madhe të kujtdo që donte të më besonte qoftë edhe për një minutë të vetme dhe duhet të sakrifikonte pa diskutim përballë numrit shumë të madh të akuzave dhe gënjeshtrave që bien mbi kurrizin tim e të llogarisësh këtu, e po t’ia shtosh këtu sa gazetarë kanë shfrenuar fantazinë e tyre për mua me shpifje e akuza dhe sa analistë kanë nxjerrë konkluzione të gënjeshtërta për mua. Heshtja ime sigurisht gjithmonë vinte e bëhej më e rëndë, unë heshta dhe heshta i bindur në respekt të drejtësisë. E kisha kollaj ta mbaja mandatin e deputetit. E lashë mandatin e deputetit vullnetarisht. E kisha kollaj të mbaja mandatin e deputetit të rrija në parlament gjatë gjithë kohës edhe pse hetohesha të rrija në parlament ”, u shpreh Tahiri.
Ish-ministri u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vite burg për shpërdorim detyre.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi do të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Mirëpo vetë Tahiri nuk është dakort me vendimin dhe ka thënë se do ta apelojë.