Një skandal i vërtetë ishte ai me arrestimin e zyrtarëve të AKBN-së dy ditë më parë, si pasojë e miratimit të dokumenteve të falsifikuara nga kompania Phoenix Petroleum që nuk kishte investuar në puset e naftës që kishte në shfrytëzim.
Dy aksionerët e kësaj kompanie, që në bashkëpunim me zyrtarët shtetërore mendohen t’i kenë shkaktuar 1.5 mln dollarë dëme shtetit, janë Isuf Berberi dhe Naim Kasa.
Por, si i morën këto puse dy biznesmenët prapa kompanisë Phoenix Petroleum?
Me 16 Gusht 2013, qeveria në ikje e ish kryeministrit Sali Berisha i dha kompanisë Phoenix Petroleum një kontratë 25-vjeçare për shfrytëzimin e vendburimeve naftës në Amonicë, Drashovicë e Pekisht-Murriz, si dhe vendburimet e gazit në Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Krane.
Sipas kontratës koncesionare, kompania shqiptare – në pronësi të biznesmenëve Naim Kasa dhe Isuf Berberi- merrte përsipër të kryente një investim prej 2.7 milionë USD, e cila mbulohej nga një garanci bankare e depozituar në AKBN.
Por sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum jo vetëm që nuk e ka zbatuar marrëveshjen, por është përfshirë gjithashtu në aktiviteve të paligjshme si kontrabanda dhe pastrimi i parave.
Aktiviteti i dyshuar si i paligjshëm si dhe detyrimet e akumuluara ndaj Albpetrol, e shtynë këtë të fundit që të prishte kontratën koncesionare me Phoenix Petroleum me 9 Mars 2017, si dhe të depozitonte një padi penale kundër drejtuesve të saj.
Situata katastrofike pa asnjë investim
“Situata e gjetur nё momentin e marrjes sё vendburimit qё ishte nё pёrdorim nga kompania Phoenix Petroleum ishte katastrofike,” tha Albpetrol në një njoftim për shtyp në 27 Prill.
“Jo vetёm qё nuk ishin kryer investimet e premtuara, por edhe gjendja e aseteve tё trashёguara nga Albpetrol sh.a kishte degjeneruar rёndshёm,” shtoi ajo.
Sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum ka akumuluar më shumë se 1.3 milionë euro detyrime, “për shkak se është toleruar nga zyrtarë të AKBN-së në konflikt interesi”.
“Shprehim keqardhjen qё disa institucione shtetёrore bёhen palё me njё kontraktor qё nё shumё raste ka dorёzuar dokumenta false, ka kryer kontrabandё, ka mashtruar me garancitё bankare duke pёrfituar nё mёnyrё tё padrejtё nga AKBN mbi 1,300,000 USD dhe shumё vepra tё tjera, pёr tё cilat Albpetrol, nё mungesё tё reagimit nga ana e AKBN, i ёshtё drejtuar Prokurorisё duke kallёzuar shtetasit Isuf Berberi dhe Naim Kasa, pёrfaqёsues tё shoqёrisë Phoenix Petroleum,” tha Albpetrol.
“Pёr mё tepёr, Albpetrol ka konstatuar se titullarё tё AKBN janё tё pёrfshirё nё konflikt interesi me kёtё shoqёri pasi, ndonёse e kanё tё ndaluar me ligj, pёrfitojnё kontrata dhe naftё bruto nga shoqёria Phoenix Petroleum nё mёnyrё direkte pёrmes disa shoqёrive ku janё aksionerё,” përfundoi ajo.
Naim Kasa, administratori i Phoenix Petroleum nuk ishte i arritshëm për koment mbi akuzat.
/Burimi: BIRN/GazetaReforma.com/