Skandali me tenderin e Unazës së Madhe/ Pushohet çështja për zyrtarët e ARRSH, merret i pandehur administratori i “DH Albania”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim çështjen penale ndaj Avdjol Dobit, administratorit të “DH Albania”.

Kjo kompani përmes dokumenteve të falsifikuara, arriti të fitonte tenderin, për lotin e parë të projektit të Unazës së Madhe.

Dobi ndodhet në arrati që prej tetorit të 2018-ës, ndërkohë Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.

Bazuar në hetime, rezulton se Dobi falsifikoi datën e regjistrimit të kompanisë “DH Albania”, në shtetin e Delawere, të SHBA-ve, si dhe bilancet.

Hetimet për zyrtarët e ARRSH për tenderin prej 18 milion eurosh janë pushuar, ndërsa i pandehur do të merret vetëm administratori i kompanisë fituese, shkruan “News 24”.

Vendimi për pushimin e çështjes u firmos nga prokurori Gjergj Tako dhe u miratua nga gjykata.

Në argumentat e organit të akuzës, thuhet se nuk u gjetën elementë të veprës penale, për zyrtarët e ARRSH.

Krahas tenderit për lotin e parë të Unazës së Madhe, kompania në fjalë, ka fituar nga OST, tenderin me vlerë 10 milion euro, për ndërtimin e linjës së energjisë Burrel-Peshkopi.

Pas zbulimit të skandalit, dy tenderat u anulluan nga qeveria,

Ndërsa shteti shqiptar përfitoi 2.6 milion euro dëmshpërblim, të vendosura nga kompania si garanci, për projektin te Unaza e Madhe.

Shpërndaje
Share.

Komento