Lëvizja për Universitetin njollos me bojë Ministrinë e Arsimit, një aksion që pason kërkesën për dorëheqje ndaj ministres Evis Kushi. Shkak është bërë deklarata televizive e së dielës se do të identifikojë dhe trajtojë me shërbim psiko-social fëmijët pjesëmarrës në protestat për vdekjen e 25- vjeçarit nga Lapraka.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lëvizja për Universitetin ka reaguar duke e cilësuar retorikën e ministres përçmuese dhe me qëllimin e vetëm, atë të nëpërkëmbjes së protestës së të rinjve. “Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka tentuar të nëpërkëmbë frymën e protestës së të rinjve duke i konsideruar subjekte të psikologut. Ministrja nuk e di se psikologu nuk mund të caktohet nëse nuk kërkohet dhe miratohet nga vetë personi. Sot Lëvizja Për Universitetin kërkon dorëheqjen e ministres Evis Kushi”, citohet në shkrimin e LPU.
https://streamable.com/5xuou0
Si u shpreh ministrja?
Të miturit e përfshirë në dhunë gjatë protestave të ditëve të fundit në vendin tonë do të identifikohen dhe do të trajtohen nga sektori psiko-social. Kështu deklaroi ministrja i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi gjatë një intervistë televizive ku u shpreh se “Pasi të qetësohet situata do të punohet për identifikimin e tyre në shkolla dhe gjimnaze për t’i trajtuar me sektorin psiko-social”. “Kjo që ka ndodhur është e rëndë edhe për zhvillimin e tyre. Kur bëjnë krime në moshë kaq të vogël, imagjinoni më vonë. Pamjet që pamë në Shkodër, të gjithë fëmijë të vegjël. Një pjesë që i kemi identifikuar janë në klasë të 6-të apo 7-të”,- tha ajo.
Kushi: U keqcitova
“Nuk mund të rri pa përgënjeshtruar sa herë shpifet ndaj meje, apo sa herë keqcitohem, me apo pa dashje…Jam shprehur kundër dhunës në protesta, kundër dëmtimit të pronës publike e private, e sidomos kundër keqpërdorimit të fëmijëve nëpër protesta. Për këta kemi të gjithë detyrimin që t’i edukojmë me vlerat më të mira”, reagoi sot në mëngjes Kushi.
Kushi, plagjiatore që u bë ministre
Një ditë pasi u zgjodh nga kryeministri Edi Rama si pasuese e Besa Shahinit në drejtimin e Ministrisë së Arsimit, Evis Kushi është akuzuar nga studiuesi Vladimir Kola se punimin e doktoraturës e ka plagjiaturë.
“Artikullit shkencor me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, i vitit 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, është kopjuar nga një tjetër artikull shkencor me titull “Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third Democracies”, i vitit 2007, me autor Eric Chang.
Artikulli shkencor i kopjuar është paraqitur nga autoret në një konferencë shkencore me titull <<6th International Conference of ASECU, “Economic development, tax system and income distribution in the countries of Southern and Eastern Europe”>> që është mbajtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Podgoricë, Mal i Zi, më 20-22 maj 2010.”, shkruan Kola.
Nga Akademia e Shkencave në takimin e parë zyrtar Kushi dha këtë përgjigje: “Nuk ka një politikan tashmë që është në pozicione drejtuese që nuk është akuzuar për plagjiaturë”, është shprehur ministrja.
Kushi mban peng doktoraturat
Ministrja Kushi, ashtu si edhe paraardhëset e saj, Nikolla dhe Shanini, i mban të bllokuara shkollat doktorale në universitetet publike, me qëllim që të pasurohet UET me pronar Henri Çilin, tek i cili jepen prej vitesh diplomat e doktoraturës kundrejt çmimeve të kripura që shkojnë mbi 12 mijë euro. Pra, Kushi mban në këmbë një koncesion të padeklaruar në arsimin e lartë. Kur erdhi në krye të ministrisë u zotua se do t’i hapte doktoraturat. Madje ajo ngriti edhe këshillin shkencor. “Jam e lumtur për konkretizimin e këtij hapi, pasi KALKSH do të jetë pa diskutim një organ këshillimor shumë i rëndësishëm pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me politikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Shumë shpejt do të ketë lajm pozitiv për hapjen e doktoraturave në universitetet publike, që janë të mbyllura prej thuajse 6 vitesh”, tha ajo. Pse ju mbyll goja ministres dhe nuk i ka hapur akoma doktoraturat?
Ministrja që i bën reklamë Vodafonit
Ministria e Arsimit nuk ka një platformë unike për zhvillimin online të mësimit. Shahini prezantoi shpikjen e një xnënësi që quhej “akademia.al”, ndërsa pasardhësja flet për “digjitalizim”. Në fakt, mësuesit përdorin aplikacionin “Whatsapp”.
Prej dy muajsh në vend është duke u bërë mësimi i detyrueshëm në mënyrë të kombinuar, edhe online edhe fizikisht në klasë. Kushi bën ndonjë “inspektim online” dhe thotë që çdo gjë është OK, mësimi shkon normalisht.
Jo vetëm kaq, por tallet me prindërit duke bërë reklama të kompanisë Vodafone për tabletat smart. Ku t’i gjejnë paratë prindërit e papunë dhe ata me shtëpi të shkatërruara nga tërmeti që të blejnë këto tableta?
“Vetëm 50 për qind e nxënësve shprehen se kanë akses të pandërprerë në internet, ndërkohë 36 për qind e tyre ka akses të kufizuar dhe 14 për qind nuk ka akses fare në internet”, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Ministria duhet të nxirrte kostot dhe të bënte investimet e duhura që mësimi të bëhet normalisht nga shtëpia.
Studentë paguan qiratë, Kushi nuk i pyeti
Gafa e ministres ishte e pakuptimtë, pasi vetëm dy ditë para se të niste viti i ri akademik Kushi njoftoi se mësimi në fakultet e vendit do të zhvillohen online. Ndërkohë studentët kishin paguar qira banesash, detyrime në konvikte apo edhe tarifat e regjistrimit.
A shqetësohet ministrja për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale. Pse nuk u alarmua për shkeljen e të drejtave të të miturve nëpër komisariate, por ngriti zërin për disa xhama të thyer?
Sigurisht që ministrja e “gafave” do të hiqet së shpejti nga kryeministri, çështja është se si do të vijë ky akt, pas dorëheqjes apo pas protestave të studentëve që kanë nisur sot.
/Gazetareforma.com/