Edhe pas 7 vitesh reformë, po veprohet si me kursantët e drejtësisë së plepave para 30 vitesh, duke ulur dhe degraduar me vetëdije nivelin profesional të juristëve të ardhshëm; që jo vetëm do punësohen si “specialist ligjesh” në administratën publike, por do ndjekin dhe Shkollën e Magjistraturës për prokurorë e gjyqtarë…
Një informacion i ardhur në “Pamfleti”, na njeh me skandalin, ose më saktë me turpin që mban “erë” pazari korruptiv të drejtuesve të Fakultetit Shtetëror të Drejtësisë në Tiranë, lidhur me pranimet e studentëve në ciklin e dytë të vitit akademik 2023-2024.
Dekanati i Fakultetit të Drejtësisë, për këtë vit mësimor ka pranuar 892 studentë për programin e integruar 2-vjeçar të ciklit të dytë master; fakultet ku mendohet se do jenë pranuar sipas kritereve ligjore, me notë mesatare 8 e lartë.
Por, sipas listës zyrtare të miratuar nga Dekanati, rezulton se studentët që do formohen e diplomohen për ciklin e dytë në Fakultetin Shtetëror të Drejtësisë, janë pranuar edhe me nota mesatare 6.1 të ciklit të parë arsimor Bachelor.
Skandali, turpi e degradimi i institucionit të lartë arsimor publik që përgatit juristët e rinj, thellohet kur zbulon këtë fakt: nga 892 studentët e regjistruar për ciklin e dytë të vitit akademik 2023-2024, rezulton se 685 prej tyre janë me nota mesatare 6.1 deri në 6.9.
Te ky numër me këto nota mesatare të ulët edhe me poshtë se nota 6, janë studentë që i ka nxjerrë vetë Fakulteti i Drejtësisë në ciklin e parë Bachelor e nga universitetet private të llojit “Çili”, por mes tyre ka dhe deputetë, ministra, drejtorë e nëpunës administrate që diploma e juristit u duhet për “CV” e karrierë.
Edhe këta me notë mesatare 6, ashtu si ata me notë mesatare 8, 9 e 10, do paguajnë tarifën financiare që ka caktuar Fakulteti i Drejtësisë dhe do marrin diplomat “Jurist” me master shkencor e profesional sipas fushës ku janë regjistruar.
Themi që ky pranim masiv me mesatare të ulët, në ciklin e dytë të Fakultetit të Drejtësisë, është skandal e turp, sepse është niveli më i lartë i diplomimit, që presupozon, se do jenë juristë që do interpretojnë me profesionalizëm Kodin Penal, Kodin Civil, Kodin e Familjes, Kodin e Punës, marrëdhëniet me pronën, shtetin, tenderët, të drejtat etj., etj.
Mirëpo, edhe pas 7 vitesh reformë në drejtësi e me negociata të hapura, në institucionin arsimor shtetëror të drejtësisë, po veprohet si me kursantët e drejtësisë së plepave para 30 vitesh.
Stafi i këtij fakulteti, po ul e degradon me vetëdije nivelin profesional të juristëve të ardhshëm, që jo vetëm do punësohen si “specialistë ligjesh” në administratën publike, por do ndjekin dhe Shkollën e Magjistraturës për prokurorë e gjyqtarë.
Por, kështu do ndodhë, kur jemi shtet që Kryetarja e Kuvendit është ish-mësuese me notë mesatare 5.6, kryeministri, ministrat e deputetët nuk publikojnë diplomat, ndërsa 9 anëtarë të komisionit të vettingut janë juristë me nota mesatare 5 e 6 dhe pa punuar asnjë ditë në drejtësi./Pamfleti